Kosova po vazhdon të përballet me pandeminë koronavirus dhe rastet e reja kanë marrë hov kohëve të fundit.
Vetëm gjatë ditës së sotme janë konfirmuar edhe 80 raste të reja me këtë sëmundje të rrezikshme, e për origjinën e infeksioneve të reja kryeministri Avdullah Hoti ka fajësuar gastronominë dhe institucionet, të cilat nuk po i zbatojnë masat për luftimin e përhapjes së COVID-19.
Vetë kryeministri Hoti tha se rastet janë në rritje në dy javët e fundit, që sipas tij shumica vijnë nga gastronomia dhe institucionet. E sipas Hotit është e papranueshme që gastronomia dhe institucionet të tregohen të pa përgjegjshme.
“Kemi bërë një vlerësim se nga po rriten rastet dhe shqetësuese. Rastet po rriten nga gastronomia dhe institucionet. Është e papërgjegjshme që bartësit e institucioneve mos të kujdesen për mbajtjen e masave”, tha Hoti.
Ai ka kërkuar një kujdes të shtuar në mënyrë që situata me pandeminë të mos dalë jashtë kontrollit dhe në këtë drejtim paralajmëroi kontrolle të shtuara të inspektoratit dhe policisë nëpër lokale të ndryshme, ku thuhet se masat antiCOVID-19 nuk po gjejnë zbatim.
“Duhet të kujdesemi të mirëmbajmë situatën qe e kemi krijuar. Është shtuar tej mase kapaciteti i testimeve. Ka plot raste që evidentohen nga policia dhe inspektoratet kur në barnatore, furra e markete shërbehet pa maskë. Kjo është e pa tolerueshme. U dakorduam që të bëhen grupe punuese të inspektoratit sanitar, farmaceutik, tregut, në dy ndërrime dhe në mbështetje të Policisë së Kosovës do të jenë në mbikëqyrje të zbatimit të masave në çdo biznes, lokal dhe institucione”, tha Hoti pas takimit me inspektorë komunalë e qendrorë për të vlerësuar situatën me pandeminë COVID-19.
Top Channel