Fëmijëve të shkollave në Gjermani po u kërkohet të veshin rroba të ngrohta e të marrin me vete batanije, në mënyrë që klasat të jenë të ventiluara për të parandaluar koronavirusin.
Në udhëzimet e lëshuara së fundmi për mësuesit thuhet se dhomat duhet të jenë të ventiluara mirë dhe dritaret të hapen çdo 20 minuta, për rreth 5 minuta çdo herë.
Masat do të duhet të aplikohen edhe gjatë dimrit të ftohtë gjerman, megjithse atje temperaturat arrijnë nën zero.
Në shumicën e shkollave gjermane mësimi zgjat 45 minuta, që do të thotë se klasat nuk mund të ventilohen gjatë ndërrimit të orëve.
Limiti i caktuar prej 20-minutash do të thotë se mësimi do të duhet të ndërpritet të paktën një herë për ventilim.
Susanne Lin-Klitzing, drejtuese e sindikatës së mësuesve tha për mediat vendase: “Për muajt e ftohtë pulovrat e trasha, shallet dhe batanijet do të jenë pjesë e pajisjeve bazë për nxënësit”.
Ajo shtoi se mësimi nuk do të vazhdojë gjatë ventilimit me dritare hapur prej zhurmës dhe konfuzionit që mund të krijohet, prandaj mësuesit gjatë kësaj periudhe duhet të vendosin muzikë deri në rinisjen e mësimit.
Udhëzimet sugjerojnë se pastrues ajri gjithashtu mund të përdoren, pa qenë nevoja e hapjes së dritareve.
Por kërkesa për mjetet ka shkaktuar një shtim të madh të porosive për pastrues ajri dhe shumica e shkollave nuk do të kenë kohë për instalimin e tyre para dimrit.
Pajisjet janë gjithashtu të kushtueshme prandaj disa shkolla nuk do të kenë alternativë përveç hapjes së dritareve.
Ekspertët besojnë se në këtë mënyrë do të parandalohet përhapja e mundshme e virusit në rastet kur distancimi social nuk është i mundur.
Por Heinz-Peter Meidinger, kreu i shoqatës së mësuesve gjermanë, tha për Die Welt tha se limiti i 20 minutave është i ekzagjeruar.
Ai këshillon që detektuesit e dyoksidit të karbonit, të cilët tregojnë se kur ajri është bërë i ndotur, janë mënyra më e mirë për të treguar se kur duhet të hapen dritaret.
Gjermania është një nga vendet me reagimin më të mirë ndaj koronavirusit në Evropë me rreth 330,000 raste të raportuara dhe vetëm 9,500 vdekje.
Top Channel