Pasi është mbyllur çështja “Messi”, te Barcelona fillon një tjetër telenovelë. Edhe në këtë rast i përket një lojtari të vështirë për t’u zëvendësuar, edhe për shkak të rolit që mbulon. Marc-Andre Ter Stegen është ai që mbron portën “blaugrana” dhe në fundin e vështirë të sezonit të kaluar ndër të paktët që u shpëtuan kritikave. Për këtë arsye duket e vështirë që katalanët ta lënë të lirë të largohet, por ka një problem të vështirë për t’u zgjidhur: kontrata e gjermanit.

Akordi aktual skadon në vitin 2022, çka do të thotë se Barcelona nuk mund të ketë surpriza të këqija për të paktën një sezon, por mbetet prioritet për të rinovuar, duke forcuar raportin mes klubit dhe lojtarit.

Diçka e vështirë, pasi pretendimet e Ter Stegen janë sikur të ishte Messi. Natyrisht, nuk bëhet fjalë për një klauzolë që e lë të lirë me kosto zero, por për një pagë të jashtëzakonshme. Mediat spanjolle shpjegojnë se kërkesa e parë e portierit ka trembur drejtuesit “blaugrana”: kërkon 24 milionë euro në sezon, dhe nuk është një barsoletë, edhe pse prioriteti i Barçës në këto muaj është që të ulë zërin e pagesave në buxhet.

Një çështje që gjermani e ka kuptuar duke i ulur disi pretendimet e tij, por, në fakt, jo dhe aq shumë, pasi shifra për të cilën është gati të hedhë firmën në kontratë është 18 milionë euro në sezon.

Në këtë mënyrë, Ter Stegen do të katapultohej në vendin e dytë të klasifikimit të lojtarëve më të paguar në klub, pas të paarritshmit Messi, dhe në rast se argjentinasi do të largohet verën e ardhshme, gjermani do të bëhej kryesuesi i klasifikimit special. Një problem ekonomik dhe jo vetëm për Barcelonën. Nëse pranon kërkesën e portierit, kush mund t’i shpjegojë Griezmannit, që u ble për 150 milionë, se portierit i takon të fitojë më shumë se ai? Te Barcelona kanë një problem më shumë!

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA