Arsène Wenger është një institucion i futbollit. 70-vjeçari është ende i fiksuar pas lojës dhe tani punon në FIFA në kërkim të zhvillimeve të reja për lojën. Ai gjithashtu ka pasur kohë për të botuar autobiografinë e tij dhe, me rastin e prezantimit, dha një intervistë shumë të gjatë për “The Guardian”, ku disa personalitete nga Anglia i dërguan pyetjet e tyre. Mes tyre edhe Muorinho, rivali i tij i madh në fushë, që e pyeti mbi mundësinë e marrjes së postit të drejtorit sportiv të Arsenalit.
“Kam marrë në konsideratë të jem këshilltar i bordit të drejtorëve të Arsenalit. Sinqerisht besoj se ka një deficit të njohurive në klubet e mëdha dhe gjithashtu mendoj se kohët e fundit kemi parë që ka shumë mënyra për të pasur sukses në futboll. Për shembull, ekziston mënyra e Bayernit, ku suksesi bazohet në vazhdimësinë e njerëzve që e njohin mirë klubin, i kalojnë pozicionet drejtuese nga brezi në brez (Beckenbauer, Hoeness apo Rummenigge). Pastaj ka modele të tjera, si në Angli, ku ka injektim të shpejtë të parave dhe suksesi kuptohet është i menjëhershëm. Të dyja modelet mund të funksionojnë. Më pëlqen më shumë modeli i parë, me një identitet dhe njohuri që transmetohen. Është mënyra ime për t’i parë gjërat,” – i shpjegoi Wenger Mourinhos.
E veçantë pyetja: a ka të ka mbetur peng që nuk ke mundur të nënshkruash me një futbollist të caktuar?
“Uh … nuk është një, janë 50. Mendoj se më afër ishim me Cristiano Ronaldon, kur ai shkoi tek Manchester United. Patëm një marrëveshje me Sportingun dhe United në atë kohë mori Queirozin si ndihmës të Fergusonit. Ata kaluan ofertë ofertën tonë dhe e morën Cristianon. Në parim kishim një marrëveshje. Ai kishte fanellën e Arsenalit dhe unë po drekoja me të dhe nënën e tij në kompleksin sportiv. Ky është një shembull, por ka shumë të tjerë.”
Largimi nga Arsenali: “Ishte fundi i një historie dashurie. Kur nuk mund të flasësh më me atë që do, nuk mund të shkosh në seancat stërvitore, në stadium. Nuk më kishte ndodhur kurrë në jetën time. Pas 22 vitesh, papritmas, kishte mbaruar. Ishte shumë e vështirë. Doja të shkëpusja lidhjet me klubin, sepse edhe klubi dëshironte të njëjtën gjë. Vendosa të mos kthehesha në stadium, por e mbështes Arsenalin me të njëjtin pasion.”
Një këshillë për Artetën: “Le të vazhdojë ta menaxhojë ekipin siç ka bërë deri më tani dhe t’u shkojë deri në fund ideve të tij. Ata (Topçinjtë) mund të jenë befasia e Premier League-s. Kanë bërë blerje të mira, mbrojtja është më e fortë dhe kanë mbajtur lojtarët cilësorë. Në vitin tim të fundit kemi blerë Aubameyangun dhe ata e kanë mbajtur.”
Neuroshkenca dhe futbolli: “Elementi tjetër që do të ndryshojë lojën është neuroshkenca. Pse? Sepse ne tashmë kemi arritur kulmin e shpejtësisë fizike. Hapi tjetër është shpejtësia në vendimmarrje. Shpejtësia e ekzekutimit, koordinimi. Këtu mund të hyjë neuroshkenca. Në dhjetë vitet e fundit, forca dhe shpejtësia e disa lojtarëve janë përmirësuar, por tani ka sprinterë kudo. Hapi tjetër do të jetë përmirësimi i shpejtësisë së trurit tonë.”
Top Channel