Është rritur në 42 numri i civilëve azerbajxhanas që kanë humbur jetën dhe në 206 numri i të plagosurve në sulmet me artileri dhe raketa që Armenia ka kryer ndaj vendbanimeve të Azerbajxhanit.
Prokuroria e Azerbajxhanit njoftoi bilancin e dëmeve në njerëz dhe materiale të shkaktuara si pasojë e sulmeve të Armenisë nga periudha 27 shtator deri më 13 tetor.
Sipas deklaratës, në periudhën në fjalë kanë humbur jetën 42 civilë azerbajxhanas ndërsa 206 të tjerë janë plagosur.
Gjithashtu në sulmet e Armenisë u bënë të papërdorshme 1.479 shtëpi, 66 apartamente dhe 241 ndërtesa publike.
Marrëdhëniet midis dy ish-republikave sovjetike janë tensionuar që nga viti 1991, kur ushtria armene pushtoi Malësinë e Karabakut, një territor i njohur ndërkombëtarisht i Azerbajxhanit.
Përleshjet e reja shpërthyen më 27 shtator dhe që prej asaj kohe Armenia ka vazhduar sulmet ndaj civilëve dhe forcave azerbajxhanase.
Ndërkaq, një armëpushim humanitar ishte shpallur më 10 tetor për shkëmbimin e të burgosurve dhe tërheqjen e trupave të të vdekurve në Malësinë e Karabakut, pas bisedimeve të Armenisë dhe Azerbajxhanit në Moskë.
Ushtria armene, pa kaluar as 24 orë nga armëpushimi kishte sulmuar qytetin Ganja të Azerbajxhanit duke shkaktuar vdekjen e 10 personave dhe plagosjen e 35 të tjerëve. AA
Top Channel