Për herë të parë Xhani De Biasi rikthehet në Tiranë si trajner i një përfaqësueseje tjetër. Prej pak muajsh ai udhëheq kombëtaren e Azerbaixhani, një eksperiencë ndryshe në lindje për të.
– Është një botë e ndryshme për disa arsye, lojtarët që unë kam luajnë vetëm brenda kampionatit azer, nuk kam në dispozicion si këtu në Shqipëri lojtarë që luajnë në perëndim dhe që sillnin eksperienca të ndryshme. Ky është një element i rëndësishëm për nivelin e skuadrës.
Lufta atje detyroi UEFA-n që t’i kushtëzonte azerët të zgjidhnin një vend tjetër për ndeshjen me Qipron dhe padyshim që Shqipëria ishte zgjedhja e De Biasit kjo edhe për faktin që pak ditë më parë luajtën në Podgoricë.
– Sigurisht që situata atje është jo e mirë pasi po luftohet për pjesën e Karabakut duke parë kushtet e luftës, UEFA vendosi që atje nuk mund të luhej dhe si opsion ishte Shqipëria, e cila nëpërmjet Federatës na u vu menjëherë në dispozicion dhe ne sigurisht që ishim shumë të kënaqur për këtë , për pos faktit që Shqipëria është një vend mik dhe unë kam shumë miq këtu që mund të na ndihmojnë në të gjitha mënyrat.
Të shohësh De Biasin në kryeqytet apo kudo nuk mund të kalosh pa prekur temën kuqezi
– E pash ndeshjen e fundit të Shqipërisë dhe mund të them që ishte një ndeshje e ekuilibruar edhe pse duhet thënë që Shqipëria bëri më shumë se Kazakistani dhe meritonte ta fitonte atë ndeshje. Të gjithë e dimë që Shqipëria është pretendente për të qenë jo vetëm në vend të parë në këtë grup por të kalojë edhe raundin tjetër.
Gjithmonë na merr me të mira, por çfarë kritike apo këshille ke për Rejan?
– Më vjen mirë së parë që edhe Reja kritikohet ashtu si më bënit mua, por kur je trajneri i një skuadra kombëtare është normale të kritikohesh dhe të gjithë duan të thonë mendimin e tyre. Por Reja është një njeri me aq shumë eksperiencë mbi shpinë sa kjo situatë nuk është se e tremb. Por e uroj vërtetë që sa më shumë mundësi të ketë t’i dhurojë emocione popullit shqiptar.
Së fundi, ish-presidenti i Federatës Italiane të futbollit ka zbuluar se ishit pranë kombëtares Axurre por nuk ju lejoi Duka të largoheshit. Si është e vërteta?
– E dija që në atë kohë Duka kërkoi që të më linin të qetë. Por sigurisht kjo ishte një zgjedhje e bërë për faktin që ne po shkonim në finalet e Europianit dhe ka patur frikë që mos të shpërqendrohesha në punën time. Por unë mendoj se mund t’i bëja të dyja edhe të mbyllja aventurën me Shqipërinë dhe të shihja këtë alternativë që për mua është një ëndërr, apo për të gjithë italianët që bëjnë këtë profesion si unë është një ëndërr. Nuk ndodhi dhe më vjen keq për këtë.
Top Channel