Të hënën në Uashington filluan seancat dëgjimore për konfirmimin e të emëruarës së Presidentit Trump për në Gjykatën e Lartë, Amy Coney Barrett. Zonja Barrett u tha senatorëve se gjykatat “nuk duhet të përpiqen” të hartojnë politika dhe se duhet t’ia lënë këtë gjë presidentëve amerikanë dhe Kongresit. Zonja Barrett paraqiti një interpretim strikt të rolit të Gjykatës së Lartë kur tha se ajo nuk është “krijuar për të zgjidhur çdo problem ose për të korrigjuar çdo të gabim të jetës sonë publike”.
Senatorja Dianne Feinstein tha se demokratët planifikojnë t’i bëjnë pyetje të forta zonjës Barrett lidhur me qëndrimin e saj mbi një vendim të Gjykatës së Lartë të vitit 2012 i cili mbështeste ligjshmërinë e Aktit mbi Kujdesin Shëndetësor të Përballueshëm (ACA), vendim që zonja Barrett e ka konsideruar të gabuar.
Gjykata do të shqyrtojë një ankim të ri ndaj ACA-s më 10 nëntor, periudhë gjatë së cilës zonja Barrett mund të jetë konfirmuar si anëtarja e nëntë e gjykatës, duke vendosur pro ose kundër aktit.
Senati i kontrolluar nga republikanët po kërkon konfirmimin e saj përpara zgjedhjeve presidenciale të 3 nëntorit. Me emërimin e zonjës Barrett, Presidenti Republikan Donald Trump shpreson të forcojë shumicën konservatore të gjykatës në 6 me 3, përpara ditës së zgjedhjeve. Rivali i tij ish-Nënpresidenti Joe Biden, këmbëngul që ose ai ose zoti Trump ta bëjnë emërimin për në Gjykatën e Lartë pas inaugurimit të presidentit të ri në janar.
Senatorja Feinstein tha se “aktualisht në 40 shtete po zhvillohen votime” dhe shtoi se në këtë proces duhet “të dëgjohet zëri i popullit amerikan”. Ajo kërkoi shtyrjen e shqyrtimit të emrit që do zëvendësojë gjykatësen liberale Ruth Bader Ginsburg, i cila vdiq muajin e kaluar.
Më shumë se 7 milionë amerikanë kanë votuar para kohe në zgjedhjet presidenciale. Një sondazh i përbashkët mes gazetës Washington Post dhe rrjetit televizic ABC News tregoi se 44 për qind e votuesve thonë se Senati duhet të zhvillojë seancat dëgjimore e të votojë për kandidaturën e zonjës Barrett për në Gjykatën e Lartë, ndërsa 52 për qind thonë se emërimi duhet t’i lihet fituesit të zgjedhjeve presidenciale dhe një votimi në Senat vitin e ardhshëm. Në fjalën e hapjes, senatori republikan Lindsey Graham, kryetar i Komisionit Juridik, tha se seancat dëgjimore do të ishin “një javë e gjatë e me kundërshti”, duke shtuar se “ai e dinte se si do të rezultonte votimi”.
Ai tha se parashikon se të 12 republikanët e komisionit do të votojnë për konfirmimin e zonjës Barrett, me kundërshtinë në bllok të të 10 demokratëve. Të hënën në Twitter Presidenti Trump shprehu pakënaqësinë e tij rreth kundërshtimeve të demokratëve.
Zonja Barrett është një katolike e devotshme, por zoti Biden tha të hënën “besimi i saj nuk duhet të merret parasysh. Besimi i askujt nuk duhet të vihet në dyshim”.
Udhëheqësit republikanë thonë se kanë mjaftueshëm vota në Senat për konfirmimin e zonjën Barrett disa ditë para zgjedhjeve, një qëndrim në kundërshtim me pozicionin e tyre në vitin 2016, kur tetë muaj para zgjedhjeve presidenciale ata refuzuan të marrin në konsideratë emërimin e ish-Presidentit Barack Obama, për në Gjykatën e Lartë, gjyqtarin Merrick Garland.
“Përfundimi është se Senati po bën punën e tij duke marrë në shqyrtim emërimin e zonjës Barrett”, tha zoti Graham. “Mendoj se po e bëjmë këtë në mënyrë kushtetuese”, shtoi ai.
Republikanët thonë se nxitja që ata po i bëjnë procesit për konfirmimin e zonjën Barrett është në përputhje procedurat e ndjekuara për 17 nga 19 emërimet për Gjykatën e Lartë në historinë amerikane gjatë një viti zgjedhor, sepse si Shtëpia e Bardhë ashtu edhe Senati kontrolloheshin nga e njëjta parti politike, siç është rasti aktualisht.
Zonja Feinstein vuri në dukje se para se zoti Trump të emëronte zonjën Barrett si gjykatëse federale të apelit në 2017-n, ajo kishte shkruar një artikull ku pohonte se Kryetari i Gjykatës së Lartë John Roberts, i cili dha votën vendimtare duke mbështetur ligjin e kujdesit shëndetësor, kishte bërë një gjykim të shtrembëruar të mënyrë që ligji të mbetej në fuqi.
Zonja Barrett pohonte se zoti Roberts e kishte shtyrë interpretimin e ligjit “përtej kuptimit të tij të bindës, me qëllimin për të shpëtuar aktin”.
E emëruara e Presidentit Trump, 48-vjeçarja Barrett ka refuzuar gjatë bisedave me ligjvënësit ditët e fundit për të treguar se si mund të votojë për çdo çështje që mund t’i dalë përpara, nëse konfirmohet.
ACA, njohur gjerësisht si Obamacare, u miratua nga Kongresi në 2010 me kundërshtimin unanim të Republikanëve, të cilët që atëherë kanë kërkuar ta shfuqizojnë atë. Pas deklarave hapëse të 22 anëtarët e Komisionit Juridik do t’i drejtojnë pyetje zonjën Barrett të martën dhe të mërkurën. Dëshmitë pro dhe kundër emërimit të saj janë caktuar të mbahen të enjten.
Demokratët, përfshirë kandidaten për Nënpresidente Kamala Harris, pritet ta pyesin atë në lidhje me ligjin për kujdesin shëndetësor, si dhe nëse zonja Barrett, një kundërshtare e së drejtës për abort në shkrimet e saj, do të kërkojë ta rrëzojë vendimin historik të gjykatës të vitin 1973 mbi legalizimin e të drejtës për abort në Shtetet e Bashkuara. Zonja Harris, tha në fjalën e saj të hapjes se republikanët “po përpiqen të bëjnë një emërim në gjykatë brenda një periudhe që do t’u garantonte atyre që t’u heqin mbrojtjet që u siguron amerikanëve, Akti i Kujdesit Shëndetësor të Përballueshëm. Dhe nëse ata i dalin, me miliona njerëz do që humbasin qasjen tek kujdesi shëndetësor në periudhën më të keqe të mundshme në mes të një pandemie”, siç tha ajo.
Në deklaratën e saj të hapjes, zonja Barrett foli fillimish rreth bashkëshortit dhe shtatë fëmijëve të saj, dy prej të cilëve të birësuar e me origjinë nga Haiti. Më pas ajo u ndal tek pikëpamja e saj se si një gjyqtar duhet të vendosë mbi çështjet. Zonja Berret ka thënë se një gjykatës duhet të jetë dikush që interpreton fjalët e Kushtetutës dhe ligjet amerikane siç janë të shkruara dhe jo se si ata do të dëshironin të ishte rezultati i një mosmarrëveshjeje ligjore.
Ajo tha në deklaratën e saj të hënën se “vendimet mbi politikat dhe gjykimim e vlerave të qeverisë duhet të bëhen nga institucionet e zgjedhura politike duke garantuar llogardhënie para popullit. Publiku nuk duhet të presë që gjykatat ta bëjnë një gjë të tillë dhe gjykatat nuk duhet të përpiqen ta bëjnë këtë”.
Udhëheqësi i shumicës në Senatit Mitch McConnell po përpiqet që zonja Barrett të konfirmohet para zgjedhjeve ndërsa partia e tij gëzon ende kontrollin e Senatit dhe Shtëpisë së Bardhë, diçka që mund të ndryshojë pas 3 nëntorit.
“Presidenti Trump është përpjekur ta shfuqizojë Aktin e Kujdesit të Përballueshëm prej katër vitesh. Republikanët janë përpjekur prej një dekade ta bëjnë një gjë të tillë”, tha zoti Biden në një deklaratë. “Ajo (Berret) ka një histori të shkruar të mospajtimit me vendimin e Gjykatës së Lartë në mbështetje të Aktit të Kujdesit të Përballueshëm”, shtoi ai.
Konfirmimi i zonjës Barrett ka të ngjarë të rezultojë në një avantazh të qartë ideologjik konservator të gjykatës që do t’i japë trajtën ligjeve amerikane për dekada për çështje të tilla si kujdesi shëndetësor, aborti të drejtat e homoseksualëve, imigracioni si dhe kufizimet e lidhura me armët.
Analistët thonë se zonja Barrett ka të ngjarë të votojë ndryshe nga zonja Ginsburg, gjykatësja liberale ikonë. Gjatë fjalimit përpara ligjvënësve duke iu referuar zonjës Ginsburg, zonja Barrett tha se “askush nuk do ta zërë kurrë vendin e saj”.
Por zonja Barrett vuri theksin tek qëndrimet e ish anëtarot të Gjykatës së Lartë, Antonin Scalia, një konstitucionalist i ashpër dhe jurist që i përmbahej gjuhës së Kushtetutës sikurse ishte miratuar vite më parë.
Zonja Barrett tha se zoti Scalia, për të cilën ajo kishte punuar dikur, ishte “i përkushtuar ndaj familjes së tij, i vendosur në bindjet e tij dhe i patrembur nga kritikat”. VOA/
Top Channel