Top Talk: Prof. Kabo diskrediton klasën politike. Ka krizë përfaqësimi. E paaftë të prodhojë zhvillim…

12/10/2020 17:50

Zhvillimet e viteve të fundit në politikën shqiptare kanë nxitur gjithmonë debate mes analistëve.

Në argumentimin e tyre ata e kanë cilësuar një pjesë të deputetëve në parlament si të padenjë për të qëndruar në atë vend. Një mendim të tillë ndan edhe profesori i mirënjohur, Përparim Kabo. Ai tha në “Top Talk” se përfaqësimi politik mungon në vendin tonë. Në këto kushte që ndodhemi, sipas Kabos është e vështirë të ecim përpara. Ai tha se në vend duhet të bëhet një riformatim dhe në parlament të vendosen njerëz ekspertë në fusha të caktuara, që sipas Kabos në Shqipëri gjenden me shumicë.

Përparim Kabo: Pra në qoftë se ti do ta zhvillosh këtë vend, i ke njerëzit ti që do hartojnë ligje, do të miratojnë memorandume, do të miratojnë marrëveshje bashkëpunimi, do të aderojnë në konferenca ndërkombëtare. Nëse nuk i ke këtë njerëz, tani ke në parlament një grup ushtarakësh civil që ngrenë dorën si i urdhëron komandanti civilo-ushtarak. Ky nuk është parlament. Dikush mund të thotë më mirë kështu t’i zgjedhë populli s’e kryetarët e partive çuan atje kriminelët. Një parlament është i pa pranueshëm nëse ka kriminel, por ai është po aq i papranueshëm nëse ka injorantë dhe idiotë. Njerëz që nuk kanë kulturën minimale që nuk dinë të lexojnë një tekst që ua kanë shkruar të tjerët. Që dalin në televizor dhe thonë duhani është i dëmshëm sepse shkurton cigaren. E kupton se kur kemi arritur?

Denis Dyrnjaja: Problemi është se si duhet ta shmangim këtë profesor, sepse jemi në nivel konstatimi tashmë dhe konstatimin e kemi bërë të gjithë, edhe ne që merremi çdo ditë dhe ndjekin politikën, por edhe njerëzit e thjeshtë të cilët nuk merren çdo ditë hap pas hapi me politikën. Puna është se si do të rikoceptjmë politik bërjen. E kemi problemin tek partitë politike, tek kryetarët, tek funksionimi i partive politike.

Përparim Kabo: Në gjykimin tim zgjedhësi duhet të vlerësojë programin me objektiva dhe të jetë i bindur se këto objektiva janë të arritshëm. Nëse një parti politike shpalos një program, zgjedhësi është i bindur çfarë do të ndodhë në mënyrë emergjente, që njihet si 100 ditët e para. Çfarë do të ndodhë në gjysmën e mandatit, çfarë do të ndodhë në fund të mandatit. Nëse vendos objektiva, atëherë pyetja më e thjeshtë është, i keni njerëzit ju? Shkon poshtë dhe i thuhet zgjedhësit tënd, ne na duhen bankierë, na duhen financierë, na duhen specialistë të energjetikës, na duhen specialistë të hidroteknikës, na duhen specialistë të shëndetit publik, na duhen specialist të jurisprudencës, na duhen diplomatë të zotë, na duhen ushtarakë të zotë.

Denis Dyrnjaja: A i kemi këta?

Përparim Kabo: Unë them që i kemi, por duhet folur hapur me zgjedhësit. Në ata që aderojnë në partinë tonë kemi kaq, por pjesa tjetër është shoqëria civile. Tani si thoni ju? Të shkojmë në parlament me njerëz që nuk dinë ta bëjnë punën, apo të shkojmë me ata njerëz që dinë ta bëjnë punën. Le të mos jenë tek partia jonë, në qoftë se ata aterojnë te programi ynë dhe votohet nga zgjedhësi ynë, ai është pjesë i ekipeve drejtuese qeverisë të forcës tonë politike. Kemi nevojë të bëjmë një administrim, ku i kemi njerëzit që mund ta ndryshojmë këtë vend. Dëgjojmë në parlament ndonjë që thotë, këtu nuk është vendi për akademikë, këtu është vendi për ata që i do populli. More akademikët e kanë vendin në akademi, ne na duhet një klasë teknokratësh që njohin teknikën legjislative, e që janë kompetentë në fushat e domosdoshme të zhvillimit të këtij vendi, në kuadër jo vetëm të zhvillimit lokal, por zhvillimit rajonal e global. Na duhen ekipe që dinë të vendosin në jetë objektivat e mijëvjeçarit, të dinë të vendosin në jetë objektivat e OKB-së, për atë që quhet agjenda 2030 për energjinë e rinovushme. Na duhen ekipe që janë në gjendje për të hartuar programe, e t’i zbatojnë ato për zhvillimin digjital, e mbrojtjen ambientaliste.

Denis Dyrnjaja: Këta nuk marrin vota në këtë mënyrë që është konceptuar politika në Shqipëri. Ku janë këta njerëz, pse nuk dalin, përse nuk i shikojmë në auditore, njerëzit të nisin e të përthithin mendimet e tyre, t’i njohin edhe si fytyra.

Përparim Kabo: Njerëz të tillë ka plot, unë kam qenë për disa vjet vlerësues në jurinë e organizuar nga Ambasada Zvicerane, lidhur me eksperiencat pozitive në pushtetin lokal. Kam gjetur njerëz të përkushtuar, që kanë ide, më kanë befasuar para një viti, ku ishte rasti i fundit që mora pjesë, një specialist i pyjeve nga Hasi. Ai kishte një kulturë të jashtëzakonshme, si administrohen pyjet, si rinovohen. Përse përmenda pyjet, sepse dy nga objektivat që kanë shtruar organizatat botërore, për gjeneratat e reja janë kulturat digjitale, mbrojtja ambientale, kryesisht e pyjeve. Kjo frymë nga parlamenti shkon më pas në qeveri, nga qeveria në strukturat e ministrive dhe më pas ndërthuren atje njohjet personale, ryshfeti dhe gjendja nuk ndryshon. Po ta shikosh Denis, vërejtja që bën faktori ndërkombëtar është administrata, niveli i parlamentit, niveli i debateve në aulën kryesore të parlamentit. 30 vite ikën, edhe këto 30 vite të tjera që vjen me këta lloj njerëzish nuk mund të riciklohen këta njerëz, sepse riciklohen të njëjtat probleme, riciklohen të njëjtat mentalitet dhe bëjmë sikur ecim përpara, por nuk ecim. Nga moçali dalim, te moçali hymë.

Top Channel