Lëvizja Vetëvendosje konsideron se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po u mohon qytetarëve të Podujevës dhe atyre në veri të Mitrovicës të drejtën për të votuar.
Sami Kurteshi nga Lëvizja Vetëvendosje tha se çështjen e mbajtjes së zgjedhjeve në këto komuna e kanë ngritur për pesë herë radhazi.
“KQZ është pikërisht institucioni kushtetues që duhet ta realizojë të drejtën e qytetarëve për të shprehur vullnetin për votë, KQZ është institucioni që e pengon me të gjitha format e mundshme, mohimin e të drejtës së votës në Kosovë. KQZ në të vërtetë me veprimet e veta në shtatë muajt e fundit e ka humb kuptimin e ekzistencës së vet. Atje bëhet çdo përpjekje që e drejta për të votuar të mohohet me çdo kusht”, tha Kurteshi në një konferencë për media. Ai tha se problematikë është edhe bllokimi i publikimit të raporteve financiare të partive politike dhe bllokimi i aplikacionit për regjistrimin e mërgimtarëve për votim në Kosovë.“Këto janë dy komuna që tani shtatë muaj janë pa kryetar sepse kryetarët kanë dhënë dorëheqje për të marrë poste në Qeveri. Tani disa muaj pas shtyrjes kundërligjore të zgjedhjeve nga presidenti i Kosovës, kjo lënde tani është duke pritur disa muaj në Gjykatë Kushtetuese e cila po hesht dhe nuk jep verdiktin, ne e kemi ngrit në KQZ pesë herë radhazi çështjen e mbajtjes së zgjedhjeve në këto dy komuna”, tha ai.
Top Channel