​BE kërcënon me sanksione Lukashenkon nëse ai nuk negocion me opozitën

12/10/2020 17:57

Bashkimi Evropian ka paralajmëruar sanksione ndaj presidentit të kontestuar të Bjellorusisë, Alexander Lukashenko, nëse nuk fillon një dialog me opozitën dhe nuk pushon së përdoruri dhunën ndaj protestuesve.

“BE u bën thirrje autoriteteve bjelloruse të kërkojnë një zgjidhje paqësore dhe demokratike të krizës përmes një dialogu më të gjerë kombëtar dhe mbështet planin e Organizatës për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë për të ndërmjetësuar dialogun,” tha Këshilli i Ministrave të Jashtëm të Bashkimit pas një takimi sot në Luksemburg.

Në fillim të këtij muaji, udhëheqësit e BE vendosën sanksione ndaj 40 zyrtarëve bjellorusë, të cilët BE i konsideron përgjegjës për dhunën kundër protestuesve paqësorë, zyrtarëve të opozitës dhe gazetarëve dhe për sjelljen e keqe gjatë zgjedhjeve presidenciale të këtij viti.

Sipas rezultateve zyrtare, Lukashenko fitoi zgjedhjet më 9 gusht bindshëm dhe fitoi mandatin e gjashtë, por opozita beson se zgjedhjet u vodhën.

Ministrat e BE-së përsëritën se zgjedhjet presidenciale në Bjellorusi nuk ishin as të lira as të drejta, dhe se Lukashenko, një aleat i Vladimir Putinit rus nuk ka asnjë legjitimitet demokratik dhe ata mbështetën thirrjet për përsëritjen e atyre zgjedhjeve.

Dhjetëra-mijëra njerëz protestuan në Minsk të dielën, javën e dhjetë me radhë, duke kërkuar dorëheqjen e Lukashenkos, i cili ka drejtuar vendin me një dorë të vendosur për 26 vjet.

Sipas vlerësimeve të grupit të të drejtave të njeriut “Vesna”, ishin 100.000 njerëz në protestë, të cilët policia u përpoq t’i shpërndajë me topa uji dhe shkopinj, duke plagosur dhjetëra prej tyre.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA