I lënë jashtë listës së të grumbulluarve nga trajneri i Francës, Didier Deschamps, mbrojtësi i majtë i Milanit Theo Hernandez vijon përgatitjet për derbin nën urdhrat e trajnerit Stefano Pioli, teksa sot grupit edhe sulmuesi suedez Zlatan Ibrahimovic.

Theo ka dhënë një intervistë për mediat italiane, ku ka folur për marrëdhëniet me Piolin, rëndësinë e Ibrës për skuadrën, objektivin sezonal të Milanit, derbin dhe gjithçka tjetër, duke treguar synimet e qarta për të fituar derbin.

Derbi – Tani jemi një Milan tjetër dhe mund t’ia dalim. Ndihemi më të fortë dhe në fakt jemi më të fortë. E dimë që nuk është një ndeshje dosido, por jemi më të qetë dhe më të bindur në forcat tona. Duhet të vrapojmë, të luftojmë dhe të bëjmë gjithçka për të fituar.

4 humbje radhazi ndaj Interit – Po, është e vërtetë, por këtë herë mund të fitojmë, Kemi një skuadër shumë më të fortë dhe një grup të bashkuar. Kemi edhe tifozerinë që na mbështet, ndonëse ende jo nga shkallët e stadiumit. Besoj se do t’ia dalim.

Ibra – Që kur ka ardhur ai, ka ndryshuar gjithçka brenda dhomave të zhveshjes, por edhe në fushë. Na ndihmon, na flet, na mbështet të gjithëve, një për një. Sillet si një lider i vërtetë.

Pioli – Me të gjërat kanë qenë të qarta, pasi që në fillim na tha çfarë duhet të bëjmë dhe si duhet ta bëjmë. Erdhi te Milani në një moment të vështirë, kur nuk po fitonim dhe tifozëria ishte e pakënaqur. Jemi rritur shumë me të, si në aspektin personal, ashtu edhe atë ekipor. Kur po flitej se do largohej, nuk po e kuptoja pse, pasi po bënte shumë mirë. Tani më vjen mirë që u konfirmua dhe po vazhdojmë punën e nisur së bashku.

Derbi si kryesues – Kemi punuar shumë edhe gjatë karantinës, ndaj nuk është rastësi që nuk kemi humbur ende asnjë ndeshje. Këtu në Itali po kaloj periudhën më të bukur në aspektin personal, pasi po shijoj shumë lojën dhe paraqitjet e mia, megjithëse e di që kam ende shumë punë për të bërë.

Ndihma e Maldinit – Ai më ka vlerësuar dhe ka punuar për të më sjellë te Milani, por më pas normale që duhet shumë punë në fushë. Më kanë ndihmuar shokët e skuadrës e trajneri shumë, por më pas janë edhe këshillat e Paolos, që janë gjithmonë precize. Kur erdha këtu, i thashë vetes se dua të bëhem mbrojtësi më i mirë anësor. Në futboll ka shumë të tillë, por pas sezonit të parë te Milani nisa të besoj më shumë se mund t’ia dal.

Objektivi sezonal – Jam i lumtur dhe jam këtu për t’u rikthyer në Ligën e Kampionëve me Milanin. Ka një marrëdhënie të jashtëzakonshme mes nesh dhe trajnerit, ndaj e dimë që do të jetë e vështirë, por mund t’ia dalim. Nëse sigurojmë rikthimin në Champions, do të lyej flokët kuqezi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA