Tetori gjerman në Gjirokastër/ Filmat e viteve të fundit u shfaqën për dy net në “Open Cinema”

11/10/2020 12:45

Tetori gjerman  përcolli përmes dy netëve të filmit në Gjirokastër një seri filmash të viteve të fundit që u bënë pjesë e atmosferës së mbrëmjeve në zonën historike.

Open Cinema në odeonin e qytetit shfaqi prodhime të kinematografisë gjermane shumë të vlerësuar nga kritika si filmi ” Adam dhe Evelyn” një dramë-romacë që trajton sfida bashkëkohore apo realizimi tjetër gjerman “Toni Erdmann” një dramë-komedi që u nominua si fimi më i mirë i vitit 2016 si dhe mban 5 çmime të tjera ndërkombëtare.

Ambasadori gjerman Peter Zingraf që ndoqi çeljen e Open Cinema tha se Tetori Gjerman këtë vit vjen  me memorien historike të 30 vjetorit të rënies së komunizmit duke lënë të kuptohet se edhe arti mund të përcjellë mesazhe politike.

Ambasada Gjermane përmes projekteve të saj të zhvillimit është duke mbështetur rikostruksionin e një shkolle në Gjirokastër si dhe po bashkëpunon në disa inciativa të tjera kulturore.

Kjo ngjarje e përvitshme globale frymëzuar nga bota gjermanisht folëse synoi që të shkojë tek sa më shumë njerëz duke mos i përqendruar aktivitetet vetëm nëpër kryeqytete.

Top Channel