Kosovë/ Gjobiten afro 600 qytetarë për mosrespektim të masave kundër koronavirusit

11/10/2020 14:16

Policia e Kosovës njofton se gjatë 24 orëve të fundit ka shqiptuar gjoba ndaj 592 qytetarëve, të cilët nuk kanë respektuar ligjin për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19.

“Tiketa të shqiptuara në bazë të ligjit COVID-19 janë 592”, thuhet në këtë raport të Policisë së Kosovës, ku nuk specifikohen shkeljet që i janë bërë këtij Ligji.

Ligji për parandalimin dhe luftimin e pandemisë së COVID-19, është miratuar në muajin gusht nga Kuvendi i Kosovës.

Gjobat për mosrespektim të Ligjit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID -19 fillojnë nga 35 deri në 2000 euro, varësisht nga shkeljet që mund t’i bëhen këtij ligji.

Sipas të dhënave të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) që prej 13 marsit e deri më 10 tetor, në Kosovë janë regjistruar 16,130 raste me koronavirus.

Prej tyre, 14,282 pacientë janë shëruar, ndërkaq raste aktive vazhdojnë të jenë edhe 1,203. Numri i përgjithshëm i viktimave me koronavirus ka arritur në 645.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA