Qeveria e Republikës së Kosovës ka hartuar projektligjin për Lotarinë e Kosovës, që parasheh kthimin e lojërave të fatit në Kosovë të cilat ishin ndaluar në prill të vitit 2019. Sipas këtij projektligji , Qeveria planifikon që në kuadër të Lotarisë t’i kategorizojë disa veprimtari.

Ato që u mbyllen me shumë zhurmë gjatë vitit 2019, në kohën sa  Ramush Haradinaj sa ishte kryeministër, po tenton t’i kthejë në  me ligj kryeministri i tanishëm i Kosovës,  Avdullah Hoti.

Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Hoti, tashmë ka nisur procedurat ligjore që të rregullojë funksionimin e tyre përmes projektligjit për Lotarinë e Kosovës.

“Me këtë Ligj rregullohet organizimi dhe funksionimi i Lotarisë së Republikës së Kosovës (këtu e tutje Lotaria) llojet e lojërave të fatit të organizuara nga Lotaria, kushtet dhe mënyra e organizimit të lojërave të fatit, rregullat e lojës, mbikëqyrja e tyre dhe mënyra e shpërndarjes së të ardhurave nga lojërat e fatit të lotarisë”, thuhet në konsultimet për këtë ligj në faqen e qeverisë së Kosovës.

Tutje tregohet se çfarë lojëra do të lejohen të bëhen sipas ligjit.

“Lojërat numerike, Lotaria instant/ekspres, prognozat sportive, bastet në numra apo ngjarje tjera dhe Lojëra tjera të ngjashme ku rezultatet bazohen në rastësi”, do të jenë lojërat e fatit që pritet të organizohen nga ana Lotarisë së Kosovës.

Projektligji i shkruar nga ana e Qeverisë ka 30 nene.

Në prill të vitit të kaluar, qeveria e drejtuar nga kryeministri Ramush Haradinaj kishte dërguar në kuvendin Ligjin për Ndalimin e Lojërave të Fatit.

Ky ligj ishte votuar nga Kuvendi.

Kuvendi i Kosovës  kishte  miratuar Ligjin, ku sipas të cilit mbyllen të gjitha lojërat e fatit në tërë Kosovën, përfshirë edhe lojërat të cilat organizohen nga Lotaria e Kosovës. Ligji ka hyrë në fuqi më 10 maj 2019 dhe nga ajo datë janë pezulluar të gjitha lojërat e fatit të lotarisë deri në miratimin e ligjit të veçantë për Lotarinë e Kosovës.

Ndërkaq, me projektligjin e ri shpjegohet se “Lojërat e fatit – nënkupton lojën e organizuar nga Lotaria sipas dispozitave të këtij Ligji, në të cilën për pagesë të shumës së caktuar pjesëmarrësve u epet mundësia e fitimit në para, mallra ose të drejta, ku fitimi apo humbja varet nga rastësia ose nga ndonjë tjetër ngjarje e paparashikuar”.

Sipas të dhënave nga Dogana e Kosovës, akciza për aparatet e lojërave të fatit në Kosovë ka qenë e lartë dhe buxheti i shtetit brenda vitit ka inkasuar afër 20 milion euro nga kjo veprimtari. Ndërsa, 50 milionë euro llogaritet të jetë qarkullimi vjetor.

Që nga ajo ditë, lojërat e fatit në Kosovë ishin bërë ilegale dhe Policia e Kosovës kishte kryer arrestime të shumta për personat që kishin organizuar lojëra të fatit

Para pak javësh, një aksion i Policisë i zhvilluar në fshatin kufitar të Kamenicës, Karaçevë asgjësoi disa objekte, në të cilën dyshohej se bëhej organizimi i lojërave të fatit. Monitor

Top Channel