Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç konfirmoi të enjten se në një takim më 3 tetor në Beograd, ai nderoi viktimat shqiptare të luftës së viteve 1990. Kreu i shtetit serb pohoi se do të ngrihej për çdo serb e kosovar, që vdiqën në luftë.
“Unë do të ngrihem për çdo serb, për çdo shqiptar, për të gjithë të tjerët që vdiqën në çdo konflikt lufte me shpresën se nuk do të ketë kurrë një luftë tjetër”, -tha Vuçiç në përgjigje të pyetjes së gazetarit të Radios Evropa e Lirë pas një takimi me Komisionarin evropian për Zgjerim, Oliver Varhelyi në Beograd.
Vuçiç deklaroi se gjatë takimit me përfaqësuesit e organizatave joqeveritare, një nga pjesëmarrësit kërkoi nga të gjithë të pranishmit të ngrihen dhe të nderojnë për shqiptarët e vrarë.
“Nuk do të them nëse ishin trika apo jo, nuk më intereson, gjithmonë do të ngrihem. Mendoj se mirësjellja elementare ia dikton këtë çdo njeriu. Fakti që disa njerëz nuk kanë moral, dhe dalin me gjëra për të cilat është rënë dakord të mos dalin në publik, kjo flet për moralin e tyre ”, shtoi Vuçiç.
Presidenti i Serbisë nuk u përgjigj në pyetjen e REL-it nëse ai do të nderonte shqiptarët e vrarë të Kosovës në vendin e varrezës masive në Batajnicë, afër Beogradit, ku u gjetën mbetjet e tyre.
Fondi për të Drejtën Humanitare (FDH), ia drejtoi kërkesën presidentit serb për t’i nderuar më shumë se 700 viktima shqiptare në Batajnicë afër Beogradit pas publikimit të informacioneve se ai, së bashku me përfaqësuesit e shoqërisë civile, më 3 tetor në Beograd në një takim të mbyllur, me një minutë heshtje i nderoi viktimat shqiptare, të cilat ishin të varrosura në varrezën masive në Batajnicë.
Ky ishte një takim me përfaqësuesit e Konventës Kombëtare për BE-në, një grup i organizatave joqeveritare që monitoron procesin e pranimit të Serbisë, i cili u mbajt nën rregullat e “Chatham House”, që do të thotë se pjesëmarrësit mund të zbulojnë informacione, të cilat i kanë marrë, por nuk duhet ta zbulojnë identitetin e folësit.
Në vitin 2001, 744 trupa të shqiptarëve të Kosovës që u vranë nga forcat serbe, u zhvarrosën në Batajnicë, rreth njëzet kilometra nga qendra e Beogradit. Mbetjet e tyre ishin transportuar nga Kosova në poligonin e njësisë Speciale Antiterroriste në Batajnicë më 1999 dhe ishin varrosur në një varrezë masive. Bëhet fjalë për njërën nga varrezat masive më të mëdha të gjetura në ish-Jugosllavi.
Top Channel