Rusia intensifikon përpjekjet diplomatike për të ndaluar luftimet në Nagorno Karabak

09/10/2020 14:19

Ministrat e jashtëm nga Armenia dhe Azerbajxhani do të zhvillojnë bisedimet e tyre të para të nivelit të lartë për rajonin e shkëputur të Nagorno Karabakut, pas gati dy javë luftimesh.

Zhvillimet e fundit kanë rritur shpresat se një armëpushim mund të ndërmjetësohet në Moskë.

Takimi pason një ftesë të drejtuar nga presidenti rus, Vladimir Putin, i cili ka bërë thirrje për ndaljen e veprimeve ushtarake në Nagorno Karabak.

Franca, e cila së bashku me Rusinë dhe Shtetet e Bashkuara janë pjesë e një grupi që ndërmjetëson në konfliktin e gjatë të dy vendeve, tha se ekziston mundësia për një përparim, por megjithatë një zgjidhje ende nuk është e sigurt.

Putini “ka bërë një punë të madhe dhe intensive me homologët e tij nga Baku dhe Jerevan”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.

“Të dyja palët u përgjigjën, ministrat e jashtëm (Zohrab Mnatsakanian i Armenisë dhe Jeyhun Bayramov i Azerbajxhanit) janë në rrugë për në Moskë”, tha Peskov.

Peskov shtoi se Putini nuk ka ndërmend të takohet me dy ministrat e jashtëm, pasi ata do të takohen vetëm me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov.

Më parë më 9 tetor, ambasadori i Armenisë në Rusi konfirmoi për agjencinë e lajmeve Tass se ministri i Jashtëm, Zohrab Mnatsakanian, ka në plan të shkojë në Moskë.

Detajet e udhëtimit në Moskë të ministrit të Jashtëm të Azerbajxhanit, Jeyhun Bayramov, ende nuk dihen.

Presidenca franceze tha se Armenia dhe Azerbajxhani po lëviznin “drejt një armëpushimi”.

Zyrtarët amerikanë, rusë dhe francezë kanë zhvilluar bisedime në Gjenevë në përpjekje për të ndalur luftimet dhe për të shmangur një luftë më të gjerë në Kaukazin e Jugut.

Të tre fuqitë janë pjesë e Grupit të Minskut të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë që ka ndërmjetësuar në konflikt që nga fillimi i viteve 1990.

Azerbajxhani dhe Armenia janë përfshirë në një konflikt mbi rajonin malor që nga rënia e Bashkimit Sovjetik. Ato zhvilluan një luftë që përfundoi më 1994 në të cilën rreth 30,000 persona u vranë dhe qindra mijëra të tjerë u zhvendosen.

Top Channel