Udhëheqësi i shumicës republikane në Senatin amerikan, Mitch McConnell, tha se nuk ka qenë në Shtëpinë e Bardhë qysh në gusht, për shkak të mënyrës se si e ka trajtuar pandeminë COVID-19.
McConnell, 78 vjeç, i mbijetuar nga poliomieliti, tha se ka folur shpesh me presidentin Donald Trump përmes telefonit, por nuk ka qenë për vizitë qysh më 6 gusht.
Prejse Trump është diagnostikuar me sëmundjen COVID-19, më 2 tetor, dhjetëra vetë nga rrethi i tij dhe stafi i Shtëpisë së Bardhë kanë dalë po ashtu pozitivë.
Zonja e Parë, Melania, sekretarja për media, Kayleigh McEnany, dhe këshilltari i presidentit, Stephen Miller, janë në mesin e të infektuarve.
Dy senatorë republikanë – Mike Lee dhe Thom Tillis – gjithashtu kanë rezultuar pozitivë, pasi kanë marrë pjesë në një ngjarje në Shtëpinë së Bardhë, edhe pse nuk është e qartë se ku e kanë marrë virusin.
Duke folur për gazetarët në Kentaki, McConnell tha se veshja e maskës dhe distanca sociale janë mënyra më e mirë për të luftuar virusin, derisa të zbulohet vaksina.
“Është e vetmja mënyrë që dimë për parandalimin e përhapjes, derisa ta kemi një vaksinë”, tha ai.
Edhe pse McConnell ka bërë vazhdimisht thirrje për veshje të maskës dhe distancë sociale, ai nuk e ka bërë të detyrueshme maskën në Senat.
Si udhëheqës i shumicës së dhomës së sipërme, ai është përgjegjës për krijimin e rregullave të tilla.
Në fund të korrikut, udhëheqësja demokrate e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, ka urdhëruar veshjen e maskës në dhomën e ulët, pasi një kongresist ka dalë pozitiv me COVID-19.
Top Channel