Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se është thellësisht i shqetësuar nga vendimi i Ambasadës së SHBA-së në Kosovë, për tërheqje nga monitorimi i procesit të përzgjedhjes së kryeprokurorëve dhe anëtarëve të Këshillit Prokurorial të Kosovës.

“Shqetësimet e tyre duhet të merren seriozisht. Vetëm një proces transparent, pa asnjë konflikt interesi apo ndikimi politik, siguron përzgjedhje mbi baza të meritës”, ka shkruar Hoti në rrjetin social Facebook.

Sipas tij Qeveria e Kosovës, përmes Ministrisë së Drejtësisë, po punon për reformën në drejtësi, përfshirë vettingun.

“Ky proces do të sigurojë një sistem të drejtësisë transparent, me llogaridhënie të brendshme dhe kontroll reciprok”, ka thënë Hoti.

“Jam thellë i shqetësuar nga vendimi i Ambasadës së SHBA-ve për tërheqje nga monitorimi i procesit të përzgjedhjes së kryeprokurorëve dhe anëtarëve të Këshillit Prokurorial të Kosovës. Shqetësimet e tyre duhet të merren seriozisht. Vetëm një proces transparent, pa asnjë konflikt interesi apo ndikimi politik, siguron përzgjedhje mbi baza të meritës. Qeveria e Kosovës, përmes Ministrisë së Drejtësisë, po punon në reformën në drejtësi, përfshirë vettingun. Ky proces do të sigurojë një sistem të drejtësisë transparent, me llogaridhënie të brendshme dhe kontroll reciprok”, shkroi Hoti.

Më herët, Ambasada Amerikane ka thënë se proceset e zgjedhjes së anëtarëve të rinj të Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe kryeprokurorëve, janë prishur në themel.

“Ambasada Amerikane ka luajtur një rol monitorues dhe mentorues në proceset për të zgjedhur anëtarët e rinj të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) dhe për të zgjedhur kryeprokurorët. Fatkeqësisht, ne besojmë se këto procese tani janë prishur në themel. Atyre u mungon transparenca dhe u nënshtrohen konflikteve në rritje të interesit”, thuhet në deklaratën e Ambasadës.

Ambasada e SHBA-së thotë se më nuk do të marrë pjesë në këto procese, pasi “përfshirja e mëtejshme e Ambasadës mund të interpretohet në mënyrë të gabuar si një miratim i këtij sistemi të prishur”.

“Prokurorët duhet të zgjidhen në bazë të kualifikimeve të tyre, jo në bazë të përkatësisë politike ose lidhjeve”, thuhet në deklaratë. rel/

Top Channel