Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, në një seancë të kuvendit, të premten, ka raportuar për punën prej 100 ditësh të Qeverisë së Kosovës.
Në adresimin e tij para deputetëve të Kosovës, kryeministri Hoti ka theksuar se gjatë 100 ditëve të qeverisjes që drejton ai, Qeveria e Kosovës ka punuar shumë për mbrojtjen e lirisë qytetare, të rendit demokratik dhe lirisë së shprehjes, për avansimin e demokracisë së vendit drejt demokracive perëndimore, ka kthyer normalitetin dhe sigurinë në jetën e qytetarëve, si dhe ka rikthyer miqësitë e vendosura me dekada me partnerët strategjik, e të cilat, sipas tij ishin dëmtuar.
“Për shkak të situatës nëpër të cilën po kalon Ksova, prioritetet e Qeverisë kanë qenë: lufta kundër pandemisë së koronavirusit, rimëkëmbja ekonomike, forcimi i shtetit, avancimi i demokracisë, luftimi i dukurive negative dhe veçmas i krimit dhe korrupsionit, marrja e përgjegjësisë për të quar përpara procesin e dialogut, avancimi i procesit të integrimit evropian, në përputhje me obligimet që kemi nga Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit”, ka theksuar Hoti.
Ai ka theksuar se lidhur me menaxhimin e pandemisë, gjatë 100 ditëve të qeverisjes së tij, Kosova ka arritur të bëhet shembull.
“Më duhet të them se për këtë pandemi jemi sharë shumë edhe në këtë kuvend, por sot jemi bërë shembull në rajon dhe më gjerë se si menaxhohet kjo situatë. Kosova është hequr nga lista e vendeve të rrezikshme. Ata persona që i kanë shtrembëruar të dhënat e numrit të të infektuarve për ta nxjerrë vendin e tyre keq, sot duhet të turpërohen”, tha Hoti.
Megjithatë, ai shtoi se pandemia e COVID-19 ka goditur ekonominë e vendit duke ndikuar negativisht në të gjithë indikatorët ekonomik.
Me qëllim të tejkalimit dhe zbutjes së situatës së krijuar, Hoti theksoi se qeveria që ai drejton, ka themeluar fondin për rimëkëmbje ekonomike, në vlerë prej 365 milionë euro, i cili është miratuar bashkë me rishikimin e buxhetit.
“Masat për të tejkaluar situatën ekonomike të shkaktuar nga COVID-19, kanë përfshirë lehtësimin e qasjes në kredi për ndërmarrjet private, lehtësimin e barrës tatimore për biznese, masa për mbështetje të punësimit, për mbështetje në zhvuillimin e bujqësisë, stimulim për kërkesën agregate, mbështetje për ndërmarrjet publike për të operuar dhe masa tjera të lehtësirave të ndryshme fiskale që kemi ofruar”, u shpreh Hoti.
Ai shtoi se me vendimin e Qeverisë janë ndarë 60 milionë euro për sektorin privat, të cilat brenda disa ditësh do të jenë llogaritë e firmave private.
Hoti theksoi se është arritur të ndërtohet korniza e duhur për një administratë optimale, e liruar nga strukturat e dyfishta dhe të panevojshme.
Ai theksoi se së shpejti, para Kuvendit, Qeveia e Kosovës do të propozojë buxhetin për vitin e ardhshëm dhe orientimet për dy vitet e ardhshme.
Lufta kundër korrupsionit mbetet prioritet i përhershëm, tha Hoti.
“Gjatë këtyre 100 ditëve kemi paur zero afera korruptive”, tha ai.
Gjatë tre muajve të fundit, sipas Hotit, qeveria e tij ka arritur të rivendosë marrëdhëniet e ngushta me vendet mike, SHBA-në dhe me vendet kryesore të BE-së, të cilat, siç tha ai “ishin lënduar nga qasja e papërgjegjshme e qeverisë së mëparshme.”/VOA/
Top Channel