Dënohet me varje vrasësi serial i të paktën nëntë grave në Nigeri

09/10/2020 21:10

Një burrë që ka vrarë nëntë gra në rastin që tronditi Nigerinë është dënuar sot me vdekje në qytetin e Port Harcourt.

Prokurorët thanë se 40-vjeçari Gracious David-West i ka mbytur viktimat e tij në dhoma hoteli në të gjithë Nigerinë në periudhën korrik-shtator 2019.

Gjykatësi Adolphus Enebeli vendosi që ai të vdesë me varje.

Dënimi me vdekje nuk jepet shpesh në Nigeri, teksa tre ekzekutimet e fundit janë kryer në 2016.

Një prej viktimave të tij i mbijetoi sulmit, por nuk dëshmoi gjatë gjyqit. Autoritetet thanë se vendndodhja e saj nuk dihet megjithse është urdhëruar të mos largohet nga shteti.

Për atë rast, gjykatësi e shpalli fajtor për tentativë vrasjeje.

Policia tha se i dënuari kishte pranuar gjithashtu vrasjet e gjashtë grave të tjera por nuk u dënua për to për mungesë provash.

Autoritetet thanë se mënyra e kryerjes së vrasjeve ishte tipike e një vrasës serial; Ai bënte seks me viktimat e tij, para se t’i lidhte këmbët e duart me çarcafë. Çarçafët gjithashtu i përdorte për t’i mbytur.

Disa nga viktimat e tij ishin prostituta.

Prej fillimit të hetimeve dhe pa pranuar avokat David-West pranoi vrasjet por gjykatësi kërkoi një gjyq publik prej natyrës së rëndë të krimeve.
Autoritetet dyshonin se kishte punuar me bashkëpunëtorë por nuk gjetën prova.

Në kulmin e vrasjeve shtatorin e kaluar, qytetarët e Port Harcourt dolën në protesta duke kërkuar zgjidhjen e vdekjeve.

Vrasësi u arrestua më 19 shtator teksa tentonte të largohej nga Port Harcourt. Pamjet e kamerave e kishin kapur teksa dilte nga një hotel dhe pamjet u qarkulluan gjerësisht në rrjetet sociale. Agjentët e ndaluan atë në një autobuz që shkonte drejt Akwa Ibom, 45 minuta larg Port Harcourt.

Korrespondentja e BBC në Port Harcourt, Karina Igonikon thotë se miqtë e të afërmit e viktimave nuk u paraqitën kurrë në gjyq, përveç babait të njërës prej vajzave fatkeqe, që erdhi vetëm në ditën e hapjes së gjyqit.

“Ishte sikur ato të mos kishin askënd, as adresë as asgjë me çfarë t’i kërkoje. Askush nuk kërkoi llogari prandaj dhe ishte e vështirë përcaktimi i provave kundër tij,” thotë ajo.
Ka ende debate për identitetin e disa prej viktimave, si dhe mënyrën sesi ato e ndiqnin vrasësin në hotel.

Hetuesit thonin se ai joshte viktimat duke pretenduar se ishte oficer policie dhe u premtonte shuma të mëdha parash.

Një nga viktimat, Jennifer Nwokocha, kishte ardhur në Port Harcourt nga Lagos për të festuar ditëlindjen.

“Ata u takuan në hotelin ku ajo po qëndronte dhe pinë bashkë, këmbyen numrat dhe u tauan më vonë në natën kur ajo gjeti vdekjen”, tha një hetues.

Policia tha se ai i kërcënonte me thikë për të ndaluar që ato të ngrinin alarmin. Para se t’i vriste ai i grabiste paratë, kartat e bankës dhe sendet me vlerë.

“Ne viktimat i gjenim të zhveshura, të lidhura me rrip rrobe në kyçe”, thanë hetuesit.

E mbijetuara e vetme Benita Etim, një prostitutë 23-vjeçare arriti të dalë e gjallë nga një natë me vrasësin. Ajo nuk dëshmoi në gjyq, por në një intervistë vitin e kaluar ka thënë se ishte takuar me të më 18 gusht, kur ai e kishte lidhur në dhomën e hotelit.

“Ai preu çarçafët në rripa dhe më lodhi duart e këmbët në karrige, ndërsa me një rrip tjetër me lidhi gojën. Unë ulërita por nuk më dëgjoi njeri sepse kishte ngritur televizionin me zë të lartë dhe gjeneratori ishte pranë dhomës. Iu luta të mos më vriste”, thotë dëshmitarja duke shtuar se ai më pas kishte marrë celularin e saj dhe ishte larguar.

Stafi i hotelit e gjeti atë ditën tjetër kur mundi të hiqte rripin nga goja dhe po ulëriste.

FOTO GALERI
1/5
Menaxheri i nje hoteli gjithashtu u denua per hedhjen e trupit te nje viktime ne koshin e mbeturinave

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA