Ministri i jashtëm grek, Nikos Dendias, vizitoi të premten Prishtinën, ku deklaroi se Athina Zyrtare, po punon për të vendosur marrëdhënie me Kosovën.

Ai tha se vendi i tij është i interesuar për paqe dhe stabilitet në rajon dhe vizita e tij në Kosovë është tregues për bashkëpunimin rajonal mes fqinjëve.

“Ne jemi fqinj dhe jemi shumë të interesuar për Ballkanin Perëndimor dhe gjithashtu për paqen dhe stabilitetin në rajon”,tha Dendias.

I pyetur nëse ka shpresa që Greqia të njohë së shpejti Kosovën, ministri i jashtëm grek deklaroi se kjo nuk është çështje shprese.

“Epo, nuk është çështje shprese, por një çështje e vendosjes së marrëdhënieve mes dy vendeve”, u shpreh ministri i jashtëm grek.

Ministri i jashtëm i Greqisë u takua me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti, kryetaren e parlamentit të Kosovës Vjosa Osmani dhe homologen e tij, ministren e jashtme Meliza Haradinaj Stublla.

Kryeministri Hoti tha se mbështetja e Greqisë për Kosovën është shumë e rëndësishme, pasi bëhet fjalë për një vend anëtar të BE dhe NATO-s, organizma këto ku Kosova aspiron të anëtarësohet. Sipas një deklarate të qeverisë, Hoti dhe ministri i jashtëm grek u angazhuan për thellimin e bashkëpunimit ekonomik mes Kosovës dhe Greqisë, me theks të veçantë në fushën e energjisë.

Top Channel