​Hoti: Për menaxhimin e pandemisë jemi sharë shumë por sot jemi shembull

09/10/2020 12:59

Kryeministri Avdullah Hoti menaxhimin e tanishëm me pandeminë Covid 19 po e sheh si shembull në rajon e më gjerë. Kreu i qeverisë gjatë raportimit në Kuvendin e Kosovës për punën e tij 100 ditore në ekzekutiv, tha se janë sharë shumë për keqmenaxhim, por gjithë ata tani duhet të turpërohen.

Hoti para të zgjedhurve të popullit foli edhe për dialogun me Serbinë, ku tha se kanë bërë progres, ndërkohë marrëveshjen e Uashingtonit e quajti historike. Ai theksoi se gjatë këtyre muajve kanë luftuar korrupsionin, rivendosur marrëdhëniet e mira me Shqipërinë dhe vendet tjera mike të Kosovës.

“Besoj që kemi arritur të mbajmë të mobilizuar sistemin tonë shëndetësor dhe krejt infrastrukturën mbështetëse për të parandaluar përhapjen e virusit dhe trajtuar rastet e prekura. Në fillim të mandatit është themeluar bordi këshillëdhënës për Covid që ka hartuar mandatit për mbrojtje të koronavirusit. Mbi të cilin janë marrë masat në sektorët përkatës. Është riorganizuar komplet sistemi shëndetësor për kapacitete shtesë dhe me shtretër dhe vënë në dispozicion mjekë të profileve të ndryshime. I kemi decentralizu spitalet rajonale, kemi punuar shumë për furnizim me mjetet të nevojshme për të përballur me këtë pandemi…për këtë pandemi jemi sharë shumë, sidomos në këtë kuvend, por sot jemi bërë shembull në rajon dhe me gjerë si menaxhohet kjo situatë. Kosova është hequr nga lista e vendeve të rrezikshme dhe ata persona që i kanë shtrembëruar të dhënat sot duhet të turpërohen”, tha ai.

Kryeministri Hoti në Kuvend, tha se do të vazhdojnë qasjen konstruktive në dialogun me Serbinë.

“Qeveria gjatë këtyre tre muajve ka arritur të rivendos marrëdhëniet e ngushta me vendet mike. Në rend të parë me ShBA-në dhe partnerëve evropian të cilat ishin lënduar nga qeveria e paraprake. Me kënaqësi e theksojë që qeveria ka rivendosur bashkëpunim të plotë me këto vende që i kemi pasur dhe i kemi partnerë të rëndësishëm… Kur e kemi marrë qeverinë, bashkëpunimin me Shqipërinë e gjetur në një gjendje të ngrirë, falë angazhimit të dyanshëm tash jemi në një fazë të re të marrëdhënieve tona ku po kalojmë në realizim konkret të projekteve jo vetëm për dy vendet po mbarë rajonit….Sa i përket dialogut me Serbinë qeveria ka pasur qasje konstrukive. Kemi bashkëpunaur ngushtë me kryediplomati e BE-së, parimet e qarta të dialogut na kanë mundësi të bëjmë progres në këtë proces… ne kemi pasur takimin e 4 shtatorit në Shtëpinë e Bardhë ku në prani të presidentin Donald Trump kemi nënshkruar marrëveshjen për normalizim ekonomik që paraqet një hap të rëndësishëm drejt marrëveshjes finale. Ndonëse reagimet brenda vendit kanë qenë të ashpra, ajo me të drejtë është cilësuar si marrëveshje historike që mundëson ecjen përpara ka zgjidhja përpara”, tha ai.

Duke folur për rimëkëmbjen ekonomike, Hoti tha se kanë ndarë mjete financiare për sektorin privat, rritur buxhetin për bujqësi.

“Ky fond është rreth 5 përqind e bruto produktit vendor që nuk është pak krahasuar me kapacitetet që kemi në buxhet shtetëror”, tha ai. Ai theksoi edhe luftën që kanë bërë ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit.

“Gjatë këtyre 100 ditëve kemi pasur zero afera korruptive, kemi pasur kujdes në menaxhimin e buxhetit. Kemi treguar transparencë në procesin e vendimmarrjes”, tha ai. Hoti në 100 ditët e ardhshme tha se do të koncentrohen të ndihmojnë më shumë ekonomik, derisa po vazhdon raportimin në Kuvend./Kosova Press/

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA