Rastet e konfirmuara të koronavirusit në Brazil kanë kapërcyer 5 milionë me viktimat në vend që po i afrohen shifrës 150 mijë.
Ministria e shëndetësisë në Brazil raportoi 32553 raste të reja së fundmi duke e çuar totalin e infektimeve në mbi 5 milionë. Vendi është i treti më i goditur në botë nga koronavirusi, për sa i takon infektimeve, pas SHBA dhe Indisë.
Presidenti Jair Bolsonaro është akuzuar se ka minimizuar rreziqet e virusit gjatë pandemisë duke injoruar këshillat e ekspertëve mbi masat kufizuese. Bolsonaro ka refuzuar kritikat por vendimi i tij për të kundërshtuar izolimet dhe për tu fokusuar tek ekonomia ka qenë shumë i polemizuar.
Numri i viktimave të koronavirusit në Brazil ka shkuar ndërkohë në 148228, çka e bën vendin më të goditurin në Amerikën Latine. Pavarësisht shifrave të zymta, panorama sidoqoftë është pak më shpresëdhënëse se disa javë më parë.
Shifrat e rasteve të reja dhe viktimave janë në rënie edhe pse flitet ende për rreth 5 mijë viktima në javë.
Top Channel