Presidenti amerikan Donald Trump, i cili po mjekohet për COVID-19, u kthye në Zyrën Ovale të mërkurën pasdite për herë të parë që kur doli nga spitali dy ditë më parë pasi ishte shtruar për koronavirus. Presidenti shkoi nga rezidenca në zyrën presidenciale për t’u informuar mbi bisedimet e bllokuara për stimulin ekonomik lidhur me koronavirusin si dhe uraganin Delta, sipas zyrtarëve të Shtëpisë së Bardhë.
Presidenti postoi menjëherë në Twitter se ishte informuar për stuhinë dhe kishte folur me guvernatorët e Teksasit dhe Luizianës lidhur me përgatitjet. Presidenti dëshiron të flasë së shpejti me popullin amerikan, por detajet ende nuk janë vendosur, u tha gazetarëve të mërkurën zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Brian Morgenstern. “Siç e keni parë, ka patur video në Twitter që janë një mënyrë mjaft e lehtë dhe efektive për presidentin që të mbajë lidhje me publikun. Kjo është padyshim diçka që po e shqyrtojmë si një mënyrë për të komunikuar me vendin, por për momentin nuk kam më shumë të dhëna.”
Presidenti Trump nuk ka pasur simptoma për më shumë se 24 orë dhe ka qenë në gjendje të qëndrueshme, tha mjeku i Shtëpisë së Bardhë Sean Conley përmes një deklaratë të mërkurën. Presidenti tha se ndjehej shumë mirë, sipas mjekut Conley, i cili po ashtu tha se “niveli i oksigjenit në gjak si dhe frymëarrja ishin po ashtu të qëndrueshme brenda kufinjve normalë”. Mjeku tha se Presidenti Trump nuk kishte pasur temperaturë prej katër ditësh, dhe se testet e bëra të hënën tregonin nivele të dallueshme të antitrupave kundër COVID-19. Mjeku nuk dha hollësi të mëtejshme lidhur me mjekimet që po merr presidenti. Sipas Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve CDC, mund të duhen një deri në tre javë pas infektimit që trupi i njeriut të prodhojë antitrupa.
Presidenti Trump dhe rivali demokrat Joe Biden thanë të martën se janë gati për debatin e dytë javën që vjen. Por infektimi i zotit Trump me koronavirus ka ngritur pikëpyetje në lidhje me protokollët shëndetësorë që duhet të ndiqen për debatin. Kur u pyet lidhur me sigurinë e pjesëmarrjes në debat, zoti Biden u tha gazetarëve se ai shpreson se, “po ndiqen të gjitha protokollet”, dhe nëse “ai ende ka COVID, ne nuk duhet të zhvillojmë debat.” Zoti Biden tha se do të ndjekë udhëzimet e Klinikës së Klivlendit dhe këshillat e mjekëve. “Po pres me padurim debatin mbrëmjen e së enjtes me 15 tetor në Majami”, tha zoti Trump në Twitter. “Do të jetë i shkëlqyer!”.
Presidenti Trump rezultoi i infektuar me COVID-19 të enjten e kaluar dhe u shtrua në spital për 72 orë, nga mbrëmja e së premtes deri të hënën. Bazuar në atë afat kohor, pjesëmarrja e tij në debat mund të ketë përbërë rrezik për shëndetin publik bazuar në udhëzimet nga CDC. Sipas këtyre udhëzimeve, një individ i infektuar mund të përhapë virusin 10 deri 20 ditë nga fillimi i simptomave. Zoti Trump dhe zoti Biden qëndruan rreth 4 metra njëri-tjetrit gjatë debatit me 29 shtator në qytetin Klivland të shtetit Ohajo. CDC sugjeron të paktën 2 metra për qëllime të distancimit fizik.
Shtëpia e Bardhë është “duke marrë çdo masë paraprake të nevojshme” për të mbrojtur jo vetëm Presidentin Trump dhe zonjën e parë Melania Trump, e cila po ashtu rezultoi e infektuar me koronavirus, por “çdo punonjës të kompleksit” në përputhje me udhëzimet nga CDC dhe praktikat më të mira, tha zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Judd Deere. “Ndërsa Presidenti dhe Zonja e Parë rezultuan pozitivë me koronavirus, punonjësit e Shtëpisë së Bardhë mbajnë pajisje mbrojtëse dhe vazhdojnë të marrin të gjitha masat e nevojshme dhe paraprake, ku përfshihen edhe procedurat e përmirësura për mbrojtjen kundër përhapjes së infeksionit”, thuhet në një dekleratë të Shtëpisë së Bardhë. Disa zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë dhe punonjës të tjerë janë konfirmuar të infektuar me koronavirus, përfshirë sekretaren e shtypit Kayleigh McEnany, këshilltarin e lartë Stephen Miller dhe këshilltaren presidenciale Hope Hicks./VOA
Top Channel