Kryeministrja finlandeze, Sanna Marin, kaloi një ditë më të qetë se zakonisht të mërkurën pasi ia dorëzoi pushtetin një 16 vjeçareje si pjesë e një fushate për të promovuar të drejtat e vajzave.
Ava Murto, nga Finlanda e jugut, tha se ajo kishte kaluar një ditë emocionuese pasi u përball me mediat në shkallët e parlamentit, pas një takimi me kancelaren e drejtësisë. Murto shtoi se ajo kishte mësuar edhe shumë gjëra të reja për legjislacionin.
Pasdite, nxënësja që bën fushatë aktive për klimën dhe të drejtat e njeriut, foli me deputetët dhe ministrat për zhvillimin dhe tregtinë me jashtë. Mesazhi i saj drejtuar vendimmarrësve, ishte se vajzat duhet ta kuptojnë më shumë se sa të rëndësishme janë dhe se janë po aq të mira në teknologji sa edhe djemtë.
“Unë mendoj se të rinjtë mund ti mësojnë të rriturve si të jenë më inovativë dhe të mendojnë më shumë për të ardhmen”.
Nisma ishte pjesë e Girls takeover, një fushatë e një organizate bamirësie që synon të rrisë ndërgjegjësimin për aftësitë dixhitale të vajzave dhe mundësitë në industritë teknologjike por edhe të ndërgjegjësojë publikun për problemin e ngacmimeve online.
Edhe pse Finlanda ka një performancë të mirë për sa i takon barazisë gjinore, femrat vazhdojnë të jenë jo shumë të përfaqësuara në kompanitë teknologjike.
E pyetur nëse ishte e interesuar ta bënte punën me kohë të plotë, pas disa vitesh, Murto thotë: Nuk është në dorën time kjo por nëse do të mundesha, patjetër që po.
Top Channel