Në pritje të ndeshjeve zyrtare të Ligës së Kombeve, sonte do të zhvillohen disa sfida miqësore mjaft interesante, ku në fushë do të zbresin emra të mëdhenj të futbollit europian si Gjermania, Italia, Holanda, Spanja dhe Portugalia.
Kështu “Panzerat” do të përballen me Turqinë në orën 20:45 në “RheinEnergie Stadium” të Kolnit, në një miqësore mjaft prestigjoze që do t’u shërbejë trajnerëve përkatës për të parë në fushë edhe futbollistët që kanë luajtur më pak kohët e fundit.
Po në të njëjtën orë, Italia do të presë në “Artemio Franchi” të Firenzes modestët e Moldavisë. Në prag të dy përballjeve të rëndësishme në Ligën e Kombeve, trajneri Roberto Mancini do të përdorë testin e sotëm për t’u dhënë hapësira futbollistëve të rinj që ka thirrur në ekip.
Në “Johan Cruijf Arena” të Amsterdamit, Holandën do ta vizitojë Meksika, në një tjetër miqësore mes dy skuadrave që mbajnë përkatësisht vendin e 13 dhe vendin e 11 në renditjen e përgjithshme të FIFA-s.
Kjo do të jetë edhe ndeshja ku do të debutojë në pankinën e “tulipanëve” trajneri Franck De Boer, i cili u emërua në atë pozicion vetëm pak ditë më parë për të zëvendësuar Ronald Koeman, që la Holandën për Barcelonën në fund të muajit gusht.
Po ashtu një sfidë mjaft interesante është edhe ajo mes Portugalisë dhe Spanjës, i cilësuar si derbi i gadishullit iberik. Kjo ndeshje do të zhvillohet në stadiumin “Jose Alvalade” por pa praninë e tifozëve. Ashtu si sfidat e tjera edhe kjo do të nisë në 20:45.
Top Channel