Ekspertët e organizatës botërore që mbikëqyr armët kimike konfirmuan të martën se substanca e përdorur për të helmuar kritikun e Kremlinit Aleksei Navalni ishte nga familja e ndaluar e agjentëve nervorë të fuqishëm të llojit sovjetik Noviçok. Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike (OPCW) tha se nga analizat që iu bënë gjakut dhe urinës së zotit Navalni u vunë re “karakteristika të ngjashme strukturore me ato të shkaktuara nga kimikatet toksike që i përkasin grupit Noviçok”.
Zoti Navalny u dërgua me avion në Berlin për trajtim pasi u sëmur në gjatë një udhëtimi me avion në Siberi më 20 gusht. Një numër qeverish perëndimore kanë bërë thirrje për një hetim ndërkombëtar të çështjes. Shumë udhëheqës botërorë dyshojnë se qeveria ruse mund të ketë qenë e përfshirë në helmimin e figurës së shquar të opozitës. 44 vjeçari Aleksei Navalny, doli nga spitali më 23 Shtator dhe bëri të ditur se do të kthehet në Rusi për të vazhduar punën e tij si përfaqësues i opozitës. Rusia i ka hedhur vazhdimisht poshtë akuzat se është përfshirë në këtë ngjarje sikurse gjetjet e mjekëve ushtarakë gjermanë, të cilët identifikuan të parët praninë e agjentit nervor muajin e kaluar.
Moska kërkoi ndihmë nga OPCW-ja më 1 tetor për të konfirmuar praninë e helmit. Në një deklaratë ku publikoheshin gjetjet e tyre, ekspertët thanë se një analizë e mostrave të marra nga zoti Navalni provon se një agjent nervor nga familja Noviçok ishte përdorur kundër tij. Në përgjigje të gjetjeve të OPCW-së, qeveria gjermane tha të martën se do të diskutojë me partnerët e Bashkimit Evropian rreth hapave të saj të ardhshëm lidhur me hetimin.
Kremlini është akuzuar për përdorimin e një agjenti nervor të ngjashëm në një atentat në vitin 2018 kundër Sergei Skripalit, një ish-agjent sovjetik dhe kritik i Moskës. Nëse çështja e zotit Navalni vërtetohet së është e ngjashme me përpjekjen për të vrarë zotit Skripali, dënimi mund të përfshijë sanksione financiare kundër zyrtarëve rusë. Në intervistën e tij të parë që nga helmimi, zoti Navalni i tha blogerit të shquar rus në YouTube Yury Dud, gjatë një segmenti të publikuar të martën, se beson se shërbimet ruse të zbulimit janë përgjegjëse për sulmin ndaj tij. Ai shkoi deri aty sa akuzoi Presidentin rus Vladimir Putin se ka urdhëruar helmimin./VOA
Top Channel