Eddie Van Halen, kitarist i adhuruar dhe bashkëthemelues i grupit popullor të rokut Van Halen, është ndarë nga jeta si pasojë e një sëmundjeje të rëndë.
Lajmi është dhënë nga djali i tij. Muzikanti amerikano-holandez, 65 vjeç, i ishte nënshtruar trajtimit për kancer në fyt. Grupi i tij, Van Halen, ka qenë i famshëm për këngën e tyre Jump, që pushtoi majat e klasifikimeve amerikane në vitin 1984.
Djali i tij, Volfgang, e nderoi të atin në median sociale duke thënë se ai ishte babai më i mirë që mund të kishte dëshiruar. Edhe disa nga emrat më të mëdhenj të rrokut, kanë nderuar atë që konsiderohet si ‘Mozarti’ i rrokut me kitarë në median sociale.
I lindur në Amsterdam, në Holandë, Van Halen, ishte biri i dy prindërve muzikantë. Ndikimi muzikor i tyre bëri që Van Halen, të luante në piano që kur ishte i vogël. Familja emigroi më pas në Pasadena në Kaliforni, në 1962 dhe morën me vete atje edhe pianon.
“Ne luajtëm në piano në anije rrugës për në Amerikë. E kam seriozisht. Nëse nuk do të kishte qenë muzika, ne nuk do të kishim mbijetuar”, tha Van Halen në një intervistë të 2012.
Ndërsa rritej, Van Halen kaloi nga piano tek bateria e më pas tek kitara, fillimisht duke luajtur me të atin dhe vëllain në dasma apo festa të tjera. Grupin me emrin e tij ai e krijoi në Los Angelos, në vitet 70. Ai ishte kitaristi, vëllai bateristi, David Lee Roth ishte këngëtari dhe Michael Antoni, basisti. Van Halen, ishte autori i këngëve më të njohura të grupit që u përfshi në hollin e famës së Rock&rollit në 2007.
Top Channel