Mali i Zi, kleriku më i lartë ortodoks testohet pozitiv për COVID-19

07/10/2020 19:51

Amfilohije Radovic, kleriku më i lartë i Kishës Ortodokse Serbe në Malin e Zi, i cili refuzon të mbajë maskë dhe e ka quajtur një pelegrinazh të besimtarëve si “vaksina e Zotit”, është testuar pozitiv me koronavirus, tha zyra e tij të mërkurën.

Mitropoliti 82 vjeçar, i cili zotëron shumë ndikim politik në vend, u diagnostikua me COVID-19 të martën, por tha se ndihej mirë pas një nate në një spital të Podgoricës.

“Ai ndodhet nën kujdesin e vazhdueshëm të mjekëve”, thuhej në deklaratën e zyrës së tij.

Nga dhjetori deri në gusht të këtij viti, Mitropoliti Amfilohije luajti rol kryesor në protestat mbi një ligj mbi fetë të kontestuar në vendin e vogël ballkanik me 620,000 banorë, anëtar i NATO-s dhe aspirant për në Bashkimin Evropian.

Mosmarrëveshjet mbi ligjin, i cili lejonte shtetin të merrte në zotërim disa prona fetare, ndihmuan opozitën të fitonte më 30 gusht zgjedhjet parlamentare, duke hequr nga pushteti Partinë Demokratike të Socialistëve të Presidentit Milo Gjukanoviç.

Pas shpërthimit të COVID-19, Amfilohije shfaqej rregullisht në publik pa maskë. Gjatë ceremonive në muajin maj për të nderuar një peshkop të shekullit të 17-të, Vasilije Ostroski – Krijuesi i Mrekullive, ai e quajti pelegrinazhin e besimtarëve dhe klerikun e respektuar “vaksina e Zotit”.

“Do të ishte mirë nëse shkencëtarët e sotëm shpikin vaksinën, por para se ajo të gjendet ekziston një vaksinë, e cila ka vepruar gjatë shekujve,” tha ai në Manastirin e Ostrogut pranë Podgoricës.

Deri më tani, në Malin e Zi ka patur 188 vdekje dhe 12,584 infektime nga koronavirusi.

Kisha Ortodokse Serbe ka rreth 12 milion ithtarë, kryesisht në Serbi, Bosnjë dhe Mal të Zi./Voa/

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA