“Serbia me politika fashiste”- Thaçi reagon për deklaratat e ministrit të jashtëm dhe atij të mbrojtjes

06/10/2020 01:22

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tha se deklaratat e disa zyrtarëve serbë ndaj viktimave civile të luftës “e dëmtojnë dialogun” dhe “ minojnë përpjekjet e përbashkëta për pajtim”.

Përmes një postimi në Twitter, Thaçi u shpreh se deklaratat fyese të ministrit të Jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiç, dhe të ministrit serb të Mbrojtjes, Aleksandar Vulin ndaj viktimave civile të luftës, të vrara nga regjimi i Milloshevicit, “janë dëshmi se Serbia nuk i ka ndryshuar ende politikat e saj fashiste ndaj Kosovës”.

Daçiç ka shkaktuar reagime të ashpra në Kosovë me deklaratat e tij të konsideruara si kërcënuese për serbët që tregojnë se ku janë varrosur viktima shqiptare në Serbi.

Vulin, në anën tjetër, duke reaguar ndaj marrëveshjees mes Kosovës dhe Shqipërisë që Porti i Durrësit t’i takojë Kosovës, u shpreh se kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, vazhdon me përpjekjet e tij për të krijuar një “Shqipëri të Madhe”.Vulin, duke iu drejtuar shqiptarëve me termin përçmues “shiptari”, tha se vetëm serbët e bashkuar mund ta ndalojnë formimin e “Shqipërisë së Madhe”.

Top Channel