Parajsat fiskale/ BE risheh listën, ikin ishujt Kajman!

06/10/2020 21:54

Këshilli Evropian ka rishikuar listën e parajsave fiskale, vendeve që garantojnë normë të ulët apo edhe zero të taksave, duke u shndërruar kështu në një lloj strehe për evazionin fiskal.

Në listën e re hyn Anguilla, një territor britanik i vendosur në Karaibe, si dhe Barbadosi, ndërsa hiqen prej saj ishujt Kajman të cilët duket kanë miratuar reforma të nevojshme për të përmirësuar kornizën e tyre të politikës fiskale.

Anguilla dhe Barbados u përfshinë në listë pas raporteve të botuara nga Forumi Global për Transparencën, që dilte në përfundimin se në këtë rast nuk kishte përputhje me standardin ndërkombëtar për transparencën dhe shkëmbimin e informacionit.

Pas këtij përditësimi, në renditjen e BE-së mbeten dymbëdhjetë juridiksione që përfshijnë Panamanë, Guamin apo Samoan amerikane. Lista e BE-së përfshin një numër shtetesh jo-anëtare të bllokut të cilat inkurajojnë praktika abuzive me taksat, që gërryejnë të ardhurat e vendeve anëtare nga bizneset.

Qëllimi i një mase të tillë nuk është stigmatizimi i shteteve në fjalë, por inkurajimi i tyre për ndryshime pozitive në ligjet dhe praktikat përkatëse tatimore përmes bashkëpunimit.

Top Channel