Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka paralajmëruar se “lodhja pandemike” po kërcënon aftësinë e Evropës për të ndaluar përhapjen e koronavirusit, raporton BBC.
Drejtori i OBSH-së për Evropën, Hans Kluge, tha të martën se “sakrificat e mëdha” të bëra nga njerëzit në të gjithë Evropën gjatë pandemisë “kanë shkaktuar një kosto të jashtëzakonshme, e cila na ka lodhur të gjithëve, pavarësisht se ku jetojmë, ose çfarë bëjmë”.
“Në rrethana të tilla është e natyrshme të ndihesh apatik dhe i demotivuar…të përjetosh lodhje”, tha Kluge.
Zyrtari i OBSH-së citoi të dhëna nga një sondazh i kryer në rajon. Ai tha se nivelet e lodhjes kishin arritur 60% në disa raste dhe u bëri thirrje vendeve të qëndrojnë në kontakt me komunitetet lokale për të monitoruar përgjigjet e njerëzve ndaj pandemisë dhe nevojave të tyre.
Ai përmendi festimet virtuale gjatë Ramazanit ose kinematë lëvizëse, si qasje të reja të suksesshme, që mund t’i ndihmojnë njerëzit të përshtaten me kushtet e reja të krijuara nga pandemia.
Shumë njerëz ndihen më pak të motivuar për të zbatuar masat mbrojtëse, pasi kanë jetuar me përçarje dhe pasiguri për muaj të tërë, thotë OBSH-ja.
“Por, megjithëse të lodhur, njerëzit duhet të ringjallin përpjekjet për të luftuar virusin”, thotë Kluge.
Koronavirusi po vazhdon të përhapet në të gjithë botën. Më shumë se 35 milionë raste të të infektuarve janë konfirmuar në 188 vende. Prej tyre, më shumë se një milion kanë vdekur.
Top Channel