Komisioneri europian i Zgjerimit Olivér Várhelyi, foli me tone optimiste për Shqipërinë teksa paraqiti Paketën e Zgjerimit 2020 dhe Planin Ekonomik dhe të Investimeve për Ballkanin Perëndimor, duke thënë se vendi ynë ka përparuar në objektivat për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit me Bashkimin Europian dhe është bërë gati për konferencën e parë ndërqeveritare.
Sipas raportit, Shqipëria ka vazhduar ta rendisë legjislacionin e saj me kërkesat e BE-së në një numër sektorësh duke e përforcuar aftësinë e saj për të marrë përsipër detyrimet anëtarësimit.
Ai ka komentuar ndryshimet në Kodin Zgjedhor, miratuar ditën e djeshme nga mazhoranca shqiptare. Varhelyi tha se kjo ishte një çështje madhore në Tiranë dhe do ta ndiqte nga afër, ndërsa theskoi se përparësia e BE “vazhdon të jetë që ne të kemi opozitën në parlament dhe koalicionin, që të bien dakord për reformën zgjedhore”.
Varhelyi u shpreh se Brukseli po e ndjek me vëmendje çështjen e reformës zgjedhore, e cila nuk duhet të kthehet sipas tij në një problem për ta veçuar Tiranën nga Shkupi për konferencën e parë të negociatave.
“Jemi ende të angazhuar në mënyrë që të nisim sa më shpejtë konferencën e parë ndërqeveritare. Shpresoj vërtet që kjo do të jetë e mundur dhe thelbësore për mua që të shkoj në Tiranë që t’ju bëj thirrje të gjithëve që të ecin përpara dhe të mos ndalen por të realizojnë të gjitha kushtet te vendosura nga Këshilli. Koalicionet, me kanë thënë që janë një çështje madhore, do ta shoh me vëmendje vetë. Në 5 qershor u arrit një marrëveshje e mirë mes palëve. Prioriteti im vazhdon të jetë që opozita në parlament dhe jashtë të bien dakord për Zgjedhoren. Për çështjen e koalicioneve, për aq kohë sa ligji nuk e pengon krijimin e koalicioneve pas zgjedhjeve mendoj që mund të gjejmë zgjidhje në një mënyrë të favorshme. Nëse pengohen pas zgjedhjeve, do të thosha që do të duhet t’i mendojmë gjërat më mirë. Dua të angazhohem tërësisht me autoritetet shqiptare. Do të ishte për të ardhur keq nëse kjo çështje do të pengonte konferencën e parë qeveritare”, u shpreh ai.
Varheyi sqaroi më tej se Komisioni Europian propozon një paketë prej 9 miliardë eurosh për Ballkanin Perëndimor në periudhën 2021-2027. Investimet, nga sa e bëri të qartë ai, do të kryhen nëse qeveritë do të zbatojnë reformat e integrimit.
Të mërkurën, komisioneri do të jetë vetë në Tiranë, ku pritet të ketë takime me presidentin Ilir Meta, kryeministrin Edi Rama dhe kreun e PD-së Lulzim Basha, e t`i drejtohet dhe Kuvendit. Kjo vizitë e tij vjen vetëm pak ditë pas votimit të ndryshimeve të Kodit Zgjedhor në parlament, të cilat thelluan përçarjet e u pasuan edhe nga reagime të ambasadorëve të huaj që shprehën keqardhje për mosarritjen e një konsensusi mes palëve.
Top Channel