Veliaj kalon në pronësi të Kishës Orthodhokse kishën e “Shën Prokopit”, do rindërtohet siç ishte

05/10/2020 16:49

Bashkia e Tiranës ka vendosur që t’i rikthejë pamjen e dikurshme kishës së “Shën Prokopit”, e cila ndodhet te Parku i Liqenit Artificial, duke e rindërtuar atë në formën që ka qenë përpara vitit 1967, kur edhe u shkatërrua nga regjimi komunist.

Rindërtimi i saj, por edhe kalimi i pronës në pronësi të Kishës Orthodhokse, ishte edhe një premtim të cilin, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ia ka bërë besimtarëve orthodhokse.

Keshilli Bashkiak i Tiranës miraton sot këtë kalim pronesie, duke i hapur rrugën rindërtimit të Kishës siç ishte.
Gjatë regjimit komunist, Kisha e “Shën Prokopit” u shndërrua në një objekt shërbimi, tip local dhe mbajti emrin “Bar Liqeni”. Nga viti 1993 ajo u përshtat në një objekt adhurimi për besimtarët, sipas traditave të Kishës Orthodokse.

Sipas regjistrit hipotekor nr. 550, datë 19.08.1940, Kisha bleu prej Mbretërisë Shqiptare truallin prej 5000 m2, në vendin e quajtur “Kodra e Pashës”, mbi të cilën u ndërtua me shpenzimet e saj e të besimtarëve Kisha e Shën Prokopit.

Në vitin 1960, kjo pronë iu mor Kishës Orthodokse
Autoqefale të Shqipërisë dhe në vend të kishës u ndërtua një objekt tregtar dhe shërbimesh.

Pas kalimit te pronesise, Kisha Orthodokse Autoqefale e Shqipërisë do të pajiset me leje ndërtimi nga Bashkia e Tiranës për ndërtimin e Kishës së Shën Prokopit.

Top Channel