Puna nga shtëpia ka gjasa të jetë një trend i qëndrueshëm për shumicën e bizneseve- tregon një studim i ri i kryer në Britaninë e Madhe.

Një vëzhgim i 1000 kompanive nga instituti i drejtorëve, tregon se 74 për qind e tyre planifikon të vazhdojë ose të shtojë punën nga shtëpia. Më shumë se gjysma planifikonin reduktimin afatgjatë të përdorimit të vendeve të punës. Një vëzhgim më modest i drejtuesve, kompanitë e të cilëve kanë hequr dorë nga vendet e punës dhe janë kthyer tek puna nga shtëpia, tregon se 44 për qind e tyre mendon se kjo e dyta po rezulton më efikase.

Puna nga shtëpia ka qenë një nga pasojat më të prekshme të koronavirusit në ekonomi. Për shumëkënd, ajo do të jetë këtu për të qëndruar – thotë Roger Barker, drejtor i politikave në institutin e drejtorëve. Sidoqoftë, puna nga shtëpia nuk është e mundur për të gjitha llojet e kompanive. Ka nga ato që nuk do të kalojnë në këtë version. Përfitimet nga zyra nuk janë shuar tërësisht. Për shumë kompani, mbledhja e punonjësve së bashku, fizikisht, rezulton më produktive dhe e pëlqyeshme.

Vendi i ndarë i punës shpesh u ofron punonjësve mundësinë për zhvillim informal dhe shoqërizim që është thelbësor, veçanërisht në fillimet e karrierës. Më herët në gusht, një vëzhgim i BBC tregoi se 50 nga punëdhënësit më të mëdhenj në Britaninë e Madhe nuk kishin në plan të kthenin të gjithë stafin në zyrë, me orar të plotë, në të ardhmen e afërt.

Top Channel