Populistët në Çeki, fitore në zgjedhjet lokale

05/10/2020 15:57

Partia populiste e kryeministrit Andrej Babis ka fituar papritur dhe bindshëm në zgjedhjet lokale në Çeki. Ajo ka marrë 23 % të votave dhe ka zënë vendin e parë në 13 rajone çeke, tha Enti i statistikave në Pragë.

Sipërmarrësi dhe miliarderi Babis foli në deklaratën e tij të parë pas zgjedhjeve për një “rezultat të shkëlqyeshëm”, i cili i jep edhe më shumë energji për angazhim dhe qëndrim në politikë. Në prag të zgjedhjeve Babis ishte nën presion të madh për shkak të dobësive në menaxhimin e krizës së pandemisë. Çekia për ditë me radhë ka regjistruar shifra rekord të të infektuarve me koronavirus.

Partia e Babis e ka nisur fushatën parazgjedhore me moton “Vepra në vend të fjalëve”. Me këtë moto edhe fitoi zgjedhjet, por ajo nuk mund të gëzohet shumë, sepse do të ketë probleme shumë të mëdha të gjejë ndonjë parti tjetër për koalicion. Një prej shkaqeve pse kjo parti do të ketë shumë vështirë të bëjë koalicione është edhe rezultati katastrofal i socialdemokratëve, të cilët kanë qenë në koalicionin qeverisës, e që kryesohen nga zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Brendshme, Jan Hamaçek.

Ajo e socialdemokratëve për vite të tëra ka qenë partia më e fuqishme në vend, por në shumë rajone ka shënuar rezultate njëshifrore. Rritje të dukshme në zgjedhje ka shënuar sidoqoftë opozita. Zgjedhjet lokale në Çeki konsiderohen si një test i rëndësishëm për zgjedhjet parlamentare, të cilat do të mbahen vitin që vjen. Pjesëmarrja në zgjedhje ka qenë më pak se 38 %.

Top Channel