Osmani për dialogun Kosovë-Serbi: Në favor të politikanëve serbe

05/10/2020 18:09

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani deklaroi se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, në vend që të shërbejë për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, ka shërbyer për “normalizimin e politikanëve serbë”, që “kanë qenë pjesë e regjimit të Sllobodan Milloshevicit”.

“Me dikë si Ivica Dacic – i cili në këto momente, përderisa kërcënon hapur dhe fsheh krimin duke bërë kështu krim të dyfishtë, Qeveria e Kosovës absolutisht nuk do të duhej të negocionte”, tha Osmani. Sipas saj, ministri i jashtëm i Serbisë i ka kërcënuar hapur serbët që mund të flasin për vendndodhjen e viktimave nga Kosova.

Daçic vonë ka bërë disa deklarata, që në Kosovë janë konsideruar kërcënuese për serbët të cilët njoftojnë për vendndodhjen e shqiptarëve të varrosur në territorin e Serbisë.

“Mos u merrni me amerikanët, gjermanët, turqit dhe gjithë të tjerët. Çfarë të bëjmë me serbët, të cilët flasin budallallëqe të ndryshme, iu tregojnë shqiptarëve dhe kroatëve se ku janë të varrosur shqiptarët në gjithë Serbinë”, pat thënë ai për një television vendas. Daçiq, në kohën kur ka qenë kryeministër i Serbisë nga viti 2012 deri në 2014, ka udhëhequr disa raunde bisedimesh me Kosovën.

Top Channel