24 orë para miratimit në Parlament të kodit elektoral, Presidenti i kërkoi Kryeministrit të tërhiqet nga ndryshimet e njëanshme. Ilir Meta e krahasoi qeverinë me tiraninë duke e paralajmëruar se nëse shkel marrëveshjen e 5 qershorit, përballja do të jetë me popullin.
Në rrjetet sociale, Kryetari i shtetit e këshilloi Kryeministrin të mos dëgjojë bandat dhe oligarkët ndërsa nxori nga arkivat një video të 20 viteve më parë ku Rama lavdëronte Metën asokohe Kryeministër.
Në të njëjtën linjë me kryetarin e shtetit, Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim akuzuan Kryeministrin për shkelje të marrëveshjes politike për përfitime elektorale. Por, edhe pse rregullat e garës po ndryshohen pa konsensusin e saj PD dhe LSI garantojnë se nuk do i braktisin zgjedhjet.
Edhe pse me vonesë, opozitarët ju përgjigjen sfidës së socialistëve për të treguar një model europian sistemi i cili lejon koalicionet e përbëra me lista të hapura.
Në vlerësimin e opozitës joparlamentare ndryshimet e kodit bien ndesh me rekomandimet e OSBE-ODIHR, ndërsa shpresojnë në ndërgjegjen e deputeteve të dalë prej listave të tyre për të bllokuar kalimin e ndryshimeve në parlament.
Top Channel