Një operacion antidrogë është finalizuar nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Tropojë ku u sekuestruan 4 kg lëndë narkotike kanabis dhe bimë kanabis.
Ndërkohë është arrestuar autori.
Në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve dhe në bazë informacioneve të mara në rrugë operative, shërbimet e Komisariatit të Policisë Tropojë, zhvilluan me sukses operacionin antidrogë, në kuadër të të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi:
A.S., 62 vjeç, banues në fshatin Bradoshnicë, Tropojë.
Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e 62-vjeçarit, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një sasi prej 4 kg lëndë narkotike e dyshuar kanabis, si dhe disa bimë kanabis.
Gjithashtu, gjatë kontrollit të territorit në vendin e quajtur “Pylli”, sipër fshatit Bradoshnicë u gjetën disa bimë në proces tharje të dyshuara kanabis.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tropojë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Top Channel