Shembet pallati në Durrës/ Lëndohet efektivi 35-vjeçar i batalionit të Xhenios

03/10/2020 18:56
Pamje nga shembja e pallatit

Një efektiv 35-vjeçar i forcave xheniere të angazhuara në shembjen me shpërthim të kontrolluar të pallatit në Durrës, ka mbetur i lënduar.

Gjatë shpërthimit, 35-vjeçari Erion Mërtiri është goditur nga një copëz materiali ndërtimor duke pësuar çarje në fytyrë, pjesën e sipërme të gojës. Ai është dërguar në spitalin rajonal të Durrësit ku i është nënshtruar një ndërhyrjeje të shpejtë, konkretisht qepjes së të çarës.

Në shpërthimin e kontrolluar të pallatit u vendos një perimetër sigurie në rreze të gjerë për të shmangur dëmtimin e banorëve dhe kalimtarëve në zonën përreth.

Shembja e këtij objekti ka qenë më e vështira e realizuar nga specialistët xhenierë dhe IKMT. Në Durrës janë realizuar rreth 100 shembje objektesh të dëmtuara nga tërmeti.

Objekti iu nënshtrua 13 shpërthimeve, 12 prej të cilave një javë më parë për të dobësuar strukturën e objektit, ndërsa shpërthimi i së shtunës finalizoi shembjen e tij duke i dhënë fund dhe ankthit të banorëve dhe bizneseve në zonën përreth tij.

39 specialistët EOD të Batalionit të Xhenios në Komandën Mbështetëse në bashkëpunim me Inspektoriatin Kombëtar i Mjedisit dhe Territorit (IKMT) realizuan shembjen e pallatit 14-katësh ditën e sotme në Durrës të dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit.

Top Channel