Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, ka uruar Presidentin e Bundestagut Schäuble me rastin e Ditës së Ribashkimit: Gjermania lokomotiva politike, ekonomike dhe morale e Europës
Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, i ka dërguar një letë rurimi Presidentit të Bundestagut Gjerman, z. Wolfgang Schäuble me rastin e Festës Kombëtare.
“Me rastin e 3 Tetorit, Festës Kombëtare, Ditës së Ribashkimit të Gjermanisë, në emër të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dhe emrin tim personal Ju shpreh urimet e mia më të përzemërta.
Rënia e Murit të Berlinit dhe ribashkimi i Gjermanisë është një ngjarje historikë jo vetëm për kombin gjerman, por për të gjithë njerëzimin, si lajmëtar i erës së ndryshimit dhe i valës së re të demokratizimit.
Përgjatë më shumë se tre dekadave, ribashkimi e bëri Gjermaninë më të fuqishme dhe më inspiruese për kombet e tjerë dhe për të gjithë njerëzimin. Në saj të energjive të popullit gjerman, lidershipit vizionar dhe të fortë dhe potencialeve të pashtershme të demokracisë, Gjermania është sot lokomotiva politike, ekonomike dhe morale e Europës dhe shoqëria gjermane një pasqyrë, në të cilën demokracitë e reja dhe kombet që aspirojnë për liri, zhvillim e mirëqenie, shohin të ardhmen e tyre.
Shqipëria i është mirënjohëse Gjermanisë, Bundestagut dhe Juve personalisht për mbështetjen e vazhdueshme dhe kontributin tashmë të njohur në mbështetjen e rrugëtimit europian. Vendimi i Këshillit Europian në 25 mars të këtij viti për çeljen e negociatave me Shqipërinë është meritë e rezultat edhe i mbështetjes së fuqishme të Kancelares Merkel, Bundestagut dhe Tuajës personalisht, të cilën unë e konstatova edhe gjatë takimit tonë në Berlin, në shkurt të vitit të kaluar.
Kuvendi dhe Qeveria e Shqipërisë po punojnë me përgjegjësi të lartë për të zbatuar në mënyrë rigoroze rekomandimet e Këshillit Europian dhe Bundestagut, të cilat janë për në një udhëhartë e qartë drejt fillimit të negociatave. Kuvendi i Shqipërisë është gjithashtu i angazhuar në mbështetjen e reformave të rëndësishme në kuadrin e integrimit europian të Shqipërisë, si reforma zgjedhore, reforma në drejtësi dhe plotësimi i rekomandimeve për përgatitjen e kuadrit negociues. Ne kemi besim se do të kemi edhe mbështetjen e Gjermanisë dhe Tuajën personale që negociatat të çelen gjatë Presidencës Gjermane.
Presidenca Gjermane e Bashkimit Europian po kontribon në rimëkëmbjen ekonomike, sociale e shpirtërore të kombeve të Europës. Jam i bindur se edhe në sajë të kontributit të Gjermanisë, pas pandemisë së Covid-19 do të kemi një Europë më të fortë dhe inovative, më të sigurt dhe me më shumë vlera të përbashkëta, një Europë që e konsideron Ballkanin Perëndimor pjesë të familjes europiane.
Shpreh bindjen se marrëdhëniet dhe bashkëpunimi shumë i suksesshëm midis Kuvendit të Shqipërisë dhe Bundestagut Gjerman do të zgjerohet e fuqizohet më tej dhe përfitoj nga ky rast për të përsëritur ftesën time për një vizitë zyrtare të Shkëlqesisë Suaj në Shqipëri, në një kohë sa më të afërt dhe në përputhje me agjendën Tuaj.”, shkruan Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi.
Po ashtu edhe presidenti Ilir Meta i ka dërguar një letër urimi homologut të tij gjerman Frank-Walter Steinmeier me rastin e jubileut të rëndësishëm të 30 vjetorit të bashkimit të Gjermanisë.
Teksa e falenderon për qasjen strategjike të Gjermanisë në raport me zgjerimin e BE drejt vendeve të Ballkanit Perëndimor, si dhe kontributin e saj thelbësor në vendimin politik të këtij viti të Këshillit Europian për të hapur negociatat e anëtarësimit për Shqipërinë, Meta e siguron se do të vazhdojë me nxitjen e aktorëve institucionalë të vendit për vijimin e reformave dhe plotësimin e kushteve.
Gjermania kujton të shtunën 30-vjetorin e bashkimit dhe dhënien fund të ndarjes me dy shtete.
Për shkak të pandemisë së Coronës festimet zhvillohen shumë më të reduktuara, se ishin planifikuar.
30 vjet pas bashkimit, kancelarja Merkel e quan unitetin gjerman një detyrë të së ardhmes.
Letra e plotë
I nderuar zoti President, Frank-Walter Steinmeier,
Më lejoni që me rastin e Ditës së Bashkimit të Gjermanisë, të shpreh në emrin tim dhe të popullit shqiptar, urimet më të ngrohta e të përzemërta për Ju dhe popullin mik gjerman.
Në këtë jubile të rëndësishëm të 30 vjetorit të bashkimit të Gjermanisë, kam kënaqësinë e veçantë të vlerësoj bashkëpunimin e shkëlqyer që ekziston ndërmjet dy vendeve tona, si dhe ndjenjat e thella të miqësisë ndërmjet dy popujve tanë.
Përfitoj nga rasti të shpreh mirënjohjen e thellë për qasjen strategjike të Gjermanisë në mbështetje të zgjerimit të mëtejshëm të Bashkimit Europian drejt vendeve të Ballkanit Perëndimor, si dhe kontributin e saj thelbësor në vendimin politik të këtij viti të Këshillit Europian për të hapur negociatat e anëtarësimit për Shqipërinë.
Mbështetja e drejtpërdrejtë dhe e sinqertë e Gjermanisë mike është mirëpritur nga mbarë populli shqiptar.
Ju siguroj në vullnetin tim të palëkundur për të nxitur të gjithë aktorët institucionalë të vendit të vijojnë pandalur me reformat dhe plotësimin e kushteve që do të mundësojnë avancimin e procesit të integrimit europian të Shqipërisë.
Bashkë me urimet më të mira për Ju, si dhe për zhvillimin e përparimin e mëtejshëm të Gjermanisë, ju lutem, pranoni zoti President, shprehjen e konsideratës sime më të lartë.
Top Channel