​Kosovë/ Sindikata e Infermierëve kërkon siguri në punë: Jemi në rrezik të jetës

02/10/2020 13:34

“Na quajtët heronj, andaj mos na vrisni”, kjo ishte thirrja e Sindikatës së Infermierëve, punëtorëve shëndetësorë e organizatave, shoqatave të tjera përfaqësuese.

Këta të fundit po thonë se janë në rrezik të jetës, meqë sipas tyre, aktualisht po ndodhë vetëm sigurimi i objekteve, por jo edhe personelit shëndetësorë. Të premten në protestë, ata kanë kërkuar nga organet e rendit, që t’ua sigurojnë jetën në vendin e punës, në të kundërtën, çdo incident që mund të ndodhë, përgjegjësia u takon atyre.

Sindikata e Infermierëve të Kosovës, punëtorët shëndetësor, organizatat dhe shoqatat tjera përfaqësuese janë solidarizuar sot me kolegun e tyre, që ditë më parë ishte therur me thikë nga një pacient. Përveç kërkesave të tjera si infermierë, kanë kërkuar që të sigurohen brenda klinikave ku punojnë. Për këtë, edhe vet kryetari i Sindikatës së Infermierëve, Fitim Havolli theksoi se raste të sulmeve ndaj tyre, që nga paslufta ka pasur shumë.

“Ju bëjmë thirrje të gjitha institucioneve relevante që tashmë menjëherë të merren veprime dhe të na sigurohet jeta në vend të punës. Për shkak dhe përderisa po ka këso akte qyqare dhe shpresoj që organet e drejtësisë që shumë shpejt personi që ka kryer sulmin do të jetë shume shpejt para drejtësisë dhe para institucioneve tona të drejtësisë”, tha ai.

Havolli tha se aktualisht po ndodhë vetëm sigurimi i objekteve, por jo edhe personelit shëndetësorë. Për këtë në emër të tyre ai ka kërkuar siguri, dhe veprime konkrete të institucioneve.

“Ky është një alarm jashtëzakonisht serioz, sepse ne tani jemi duke punuar dhe mund të kemi çdo sekondë rreziqe. Përgjegjësia nëse ndodhë ndonjë aksident tek ndonjë koleg tjetër, sigurisht që do i marrin institucionet. Sepse ne me kohë po u bëjmë apel, t’i marrin parasysh këto dhe të marrin masa. Mos të ndodhë një aksident tjetër që mund të na i rrezikoj edhe jetën. Sepse për ne personalisht të cilët kemi qenë afër tij atë ditë, për mu ka qenë po thuajse i vdekur. Prandaj ne nuk guxojmë me leju më, po duhet menjëherë me marrë masa dhe me siguru stafin mjekësor”, ka kërkuar Havolli.

Veç tjerash, kryetari i Sindikatës së Infermierëve ka siguruar se shumica e stafit mjekësor kanë sjellje të mirë ndaj pacientëve, megjithatë në rastet kur ndodhë e kundërta, sipas tij duhet t’i drejtohen organeve të rendit.

“Unë shpresoj që nuk do të ndodhë më një rast i tillë kurrë, sikur i ka ndodhur kolegut. Por në rast se ndodhë, atëherë prej këtij momenti, derisa të plotësohen ato, përgjegjësitë do t’i marrin institucionet relevante. Për shkak se ne po bëjmë apel që jemi në rrezik të jetës. Dhe nuk ka apel më të madh”, ka deklaruar ai. Ndryshe, një infermier në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës javën e kaluar, është therur gjatë orarit të punës nga një pacient. Infermieri është sulmuar në dhomën e teknikëve në Klinikën e Urologjisë nga një pacient i cili ishte operuar ditë më parë dhe sot kishte shkuar për të pastruar plagën. /Kosova Press/

Top Channel