Pedagogu Mark Marku, anëtari i Komisionit të Vlerësimit të kandidatëve të PD për zgjedhjet e 25 prillit, ka sqaruar se si bëhet përzgjedhja e kandidatëve.
Në një lidhje për emisionin “Open”, ai tha se ndër kriteret që merren për bazë janë pastërtia e figurës, pasuria, integriteti moral, kontributi në parti, etj..
Sa i përket verifikimit të pasurisë, ai u shpreh se Komisioni Vlerësues nuk bën punën e SPAK, por investigon aty ky sheh mospërputhje.
“Ne nuk marrim përsipër të jemi një gjykatë supreme pagabueshme, jemi individë, por gjykojmë mbi bazën e disa parimeve. Marrim parasysh disa elementë në përzgjedhjen e kandidatëve. Jemi një komision që zgjedhim përfaqësuesit politikë të një partie politike dhe ka një sërë elementesh që hynë në lojë. CV, integriteti moral, kontributi që kanë në parti, rezultati që kanë marrë kur janë votuar në zgjedhje, etj..
Ne nuk jemi SPAK, as strukturë hetimore, por një komision vlerësimi që gjykojmë, sepse aty është deklarimi i të ardhura dhe shohim mospërputhjen e të ardhurave me profesionin që kanë. Se psh. Një si puna ime që është pedagog dhe ka nj pallat, ne e dyshojmë atë. Ata kanë bërë një deklarim pasurie. Ne nuk mund të bëjmë hetim, por investigim, aty ku shikojmë mospërputhje interesohemi, marrim informacion he bëjmë verifikimet tona.
Për pastërtinë e figurës, nuk është shumë e vështirë sepse 80% e kandidatëve kanë qenë fëmijë kur është rrëzuar regjimi. E dyta, te CV deklarohet se ku ka punuar personi gjatë gjithë jetës së tij profesionale”, u shpreh Marku.
Top Channel