Tottenham është skuadra e parë cerekfinaliste në Kupën e Ligës në Angli.
Skuadra londineze eliminoi në raundin e 1/8 të finaleve të kompeticionin Chelsean në Tottenham Hotspours Stadium në një ndeshje ku vendimtare rezultuan gjuajtjet e penalltive. Chelsea zhvilloi një lojë më të mirë në përgjithësi dhe Blutë e Londrës arritën të marrin avantazhin në minutën e 19 me Timo Werner që shënoi në këtë mënyrë golin e tij të parë zyrtar me fanelën e Bluve. Me avantazhin 1-0 për skuadrën e Lampard u mbyll pjesa e parë.
Në pjesën e dytë, Jose Mourinho aktivizoi Harry Kane e Lucas Moura, por golin e barazimit e gjeti vetëm 6 minuta përpara fundit të sfidës me Eric Lamela duke bërë që 90 minutëshi i kohës së rregullt të mbyllet në barazimin 1-1 me skuadrat që u detyruan t’i drejtohen lotarisë së 11 metërshave për të gjetur fituesin. Tottenham për të cilin i fundit që gjuajti penalltinë ishte Harry Kane, u tregua i saktë në të 5 penalltitë dhe me rezultatin 5-4, i gjithë presioni ishte mbi të riun e Chelseat, Mason Mount.
Ky i fundit gaboi në gjuajtjen e tij duke i dhënë mundësi Tottenhamit të festojë kalimin në cerekfinale. Sot do të përcaktohen 4 skuadra të tjera cerekfinaliste teksa në fushë do të zbresin edhe Manchester City ndaj Burnley e Manchester United që do të përballet sërish me Brightonin. Po kështu sot luhen edhe Newport-Newcastle dhe Everton West Ham, ndërsa të enjten është rezervuar supersfida mes Liverpoolit dhe Arsenalit
Top Channel