Masakra me 15 të vrarë në Bondi Beach, Australia njofton skemën e blerjes së armëve
Pesë papagaj janë hequr nga shfaqja për publikun në një park të botës së egër në Britani pasi vazhdimisht ‘shanin’ vizitorët që vijnë për t’i admiruar.
Zogjtë gojëpisët u ndanë nga njëri-tjetri pasi përsërisnin disa të shara të ndryshme ndaj vizitorëve, që prej ditëve të para kur u dhanë si donacion në parkun zoologjik të Lincolnshire në lindje të Anglisë.
“Ata nuk ishin në rregull, shanin të gjithë së bashku,” thotë drejtori i parkut Steve Nichols. “Ne ishim më të shqetësuar për fëmijët.”
“Askush nuk duron t’i thuash ‘trap i shëndoshë’ sa herë që kalon aty”, shton Nichols.
Papagajtë afrikanë gri, të quajtur Eric, Jade, Elsie, Tyson e Billy – u dhanë si donacion për parkun nga pesë pronarë të ndryshëm brenda një jave, por me siguri origjina e fjalorit të tyre është vetëm njëri nga ekzemplarët.
Gjatë kohës së karantinës së koronavirusit ata qëndruan së bashku, dhe stafi menjëherë vërejti tendencën e tyre për të dalë jashtë kontrolli.
“Brenda një periudhe të shkurtër ata po shanin njëri-tjetrin. Fraza më e zakonshme ishte ‘F**k off’,” shpjegon ai, duke shtuar se kjo është shumë e thjeshtë për t’i shqiptuar prej tyre por prej njëri-tjetrit ata mësuan e shumë vulgritete të tjera.
Disa prej vizitorëve e shijonin ‘talentin’ e papagajve, por shpejt ata nisën t’ua kthenin të sharat, shton Nichols.
Shqetësimi për më të vegjëlit bëri që stafi t’i ndajë zogjtë përkohësisht duke shpresuar që gjuha e tyre të bëhet më miqësore ndaj familjarëve.
Afrikanët gri janë nga speciet më të preferuara të ppagajve dhe rreth 1 milionë prej tyre mbahen si kafshë shtëpiake në Britani, sipas një sondazhi të 2019.
Top Channel