Në studion e emisionit “Open”, u fol mbi “Dosjet e Hagës”, ku janë të implikuar shumë liderë politikë në Kosovë.
Pjesë e panelit të ftuar ishte dhe ish-ministri i Jashtëm, Paskal Milo. Ai tha se në kohën kur ka qenë ministër, qeveri të ndryshme evropiane i kërkonte atyre (pra Shqipërisë) që të ndërhynte në Kosovë dhe t’i kërkonte liderve atje që të kenë kujdes, e të ndalojnë vrasjet, eliminimet e grabitjet e pronave, që sipas Milos kanë ndodhur.
“Unë dua ta marr fjalën për të thënë di çka nga përvoja ime si ish-ministër i Jashtëm. Në momentin që u çlirua Kosova dhe u ngritën qeveria e përkohshme u bënë dhe zgjedhjet vendore, nga kancelaritë evropiane, por edhe nga SHBA-ja më pak. Ne na vinin sinjale dhe na kërkonin që të ndërhynim në Kosovë për të paralajmëruar që të ishin të kujdesshëm dhe të mos ndërmerrnin vendime siç ishin grabitja e pronave, edhe në ndonjë rast edhe vrasje e eliminime të kundërshtarëve, unë do i quaj politik, etnik.
Këto thirrje na i bënin qeveritë të ndryshme evropiane. Ne të ndërhynim pranë udhëheqësve të Kosovës që t’i paralajmëronin të ishin të kujdesshëm, të vëmendshëm të ndalojnë veprime të tilla, sepse kanë ndodhur për hirë të së vërtetës. Kanë ndodhur gjatë luftës edhe gjatë luftës. kanë ndodhur edhe me serbët, edhe me romët por edhe pak shqiptarë. Në një luftë kaq të madhe që përplasi NATO-n me Ish Jugosllavinë nuk mund t’u shmangesh ngjarjeve të tilla, qoftë gjatë luftës qoftë pas luftës. Pas Luftës së Dytë Botërore ka pasur hakmarrje të tmerrshme në Evropë, por jo të gjitha shkuan në Nirenberg”, tha Milo.
Top Channel