Rënia ekonomike në Kosovë në vitin 2020 si shkak i pandemisë Covid-19 pritet të jetë 7.2 për qind. Në projeksionet e BQK-së recesioni ekonomik në vend pritet të jetë më i thellë se sa është parashikuar më herët, por i njëjti mund të ndryshojë në muajt e ardhshme në bazë të zhvillimeve me pandeminë.

Në raportimin e Guvernatorit të këtij institucioni financiar para Komisionit për Buxhet dhe Financa u paraqit edhe puna gjatë vitit 2019, ku u tha se ka pasur rritje ekonomike prej 4.94 për qind derisa borxhi publik ka qenë vetëm 17,5 për qind. Ndërkohë, Fehmi Mehmeti tha se kanë bërë përgatitjet e nevojshëm për t’u ballafaquar në arbitrazh me IuteCredit, si dhe theksoi se në institucionit që udhëheq nuk ka emërimi në pozita të jashtëligjshme.

Duke arsyetuar rritjen ekonomike gjatë vitit të kaluar, guvernatori Mehmeti foli edhe për lëvizjen e çmimeve të konsumit në vend, ku tha se përcaktohet nga lëvizjet e jashtme si pasojë e varësisë së importeve.

Në vitin 2019 ekonomia e Kosovës vlerësohet të ketë pasur një rritje vjetore sipas të dhënave që kemi pranuar nga ASK shënon 4.94 përqind në krahasim me rritjen prej 3.4 përqind që kemi pasur në vitin 2018”, tha ai.

Sa i përket projeksioneve për ekonominë e vendit gjatë vitit 2020, zëvendësguvernatori, Sokol Havolli tha se pritjet janë që të ketë rënie.

Projeksionet duhet të shikohen në baza të shpeshta sepse zhvillimet kanë qenë prej atyre që janë parashikuar edhe prej institucioneve me ekspertizë të lartë. Fillimisht pritjet kanë qenë që recesioni gjatë kohës së pandeminë do të ketë formën e shkronjës V. Por kjo del që ky të jetë një recesion që do të merr një kohë pak më të gjatë që nënkupton se edhe do të jetë me i thellë se norma e paraqitjes në raport… ne gjatë javës së kaluar kemi bërë një varg rishikimesh brenda BQK-së, ende nuk janë publikuar presim që në kuadër të raporteve të rregullta të publikohen ka shkuar në nivelin 7.2 përqind për rënien ekonomike gjatë vitit 2020”, tha ai.

Edhe deputetja e grupit parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila tha se për 55 pozitat që auditori i brendshëm i ka cilësuar si të kundërligjshme nuk janë të përcaktuara me rregullore për nivelin e pagës. Ajo u interesua edhe për përgatitjet e BQK-së për arbitrazhin me IuteCreditin.

Pagat e tyre sillen prej 700 deri 2000 euro. Për këto pozita nuk është përcaktuar niveli i pagës që do thotë nuk ekziston një rregullore e saktë se kush sa duhet të paguhet. Në një përgjigje ju keni mohuar se këto janë shpikura dhe keni thënë se këto pozita kanë ekzistuar. Duke shtuar se asnjëra prej tyre nuk është në kundërshtim me ligjin apo rregulloret e brendshme. Po flasim për 55 pozita të tilla të identifikuara në listën e pagave në BQK përfshi edhe vitin raportues që ju po raportoni…këto institucione tashmë në arbitrazhe ndërkombëtare kanë paditur Kosovën dhe si rrjedhojë e kësaj ne duhet të sigurohemi që gjitha procedurat janë ndjekur nga BQK-ja se ekziston argumentim dhe dëshmi e mjaftueshme për të mbrojtur Kosovën. Përndryshe do të ballafaqohemi me padi milionëshe siç po na ndodh me arsye, apo pa arsye edhe në rastet tjera”, tha deputetja Kusari Lila.

Por në reagimin e tij, guvernatori Mehmeti tha se raporti i auditimit që po bazohet deputetja Kusari-Lila nuk është aprovuar në bordin e BQK-së pasi bie në kundërshtim me ligjin e tyre.

Ai arsyetoi edhe disa prej pozitave brenda strukturës së udhëheqjes së këtij institucioni. Derisa theksoi se argumentet qëndrojnë në anën e BQK-së në arbitrazhin me IuteCredit.

Gjitha guvernatorët kanë pasur shefa të kabinetit edhe Hashim Rexhepi, Gani Gërguri edhe kur ka qenë Bedri Hamza vazhdimisht ka pas shefa të kabinetit. Nuk janë pozita të jashtëligjshme, ose pozitat staticient i ri, nuk është pozitë e jashtëligjshëm. Kështu i referohet ai, staticent i ri, zyrtar i ri, ekonomist i ri mbikëqyrës i ri. Nuk janë pozita të jashtëligjshme, asnjë. Sa i përket numrit të stafit iu e dini shumë mirë dhe mund të kontaktoi edhe zyrtarë të FMN-së kemi rekomandime të shkruara meqenëse iu referuan një raporti të auditimit ku në mënyrë eksplicite kërkohet të rekrutohen stafi në numër të 50 vetave në BQK. Ne ende nuk e kemi arritur numrin e stafit që kanë qenë të buxhetuar në vitin 2017, ne i kemi dhënë rekomandime të përmirësohet, nuk janë përmirësuar dhe kanë ardhur në situatë që ti revokohet licenca. Njëra prej tyre ka shkuar në arbitrazh që është Iutecredit dhe tjera Monego ka shkuar në Gjykatën e Apelin në Kosovë dhe e ka hupur rastin. Edhe në rastin e IuteCreditit ne kemi bërë gjitha përgatitjet e nevojshme me qëllim që rasti të jenë 100 përqind në favor të BQK-së”, tha ai.

Ndërkohë, Komisioni për Buxhet dhe Transfere në mënyrë unanime miratoi në parim Projektligjin për plotësim-ndryshimet e Ligjit për Financimin e Partive Politike.

Megjithëse ky projektligj u konsiderua i nevojshëm për rritjen e llogaridhënës dhe transparencës për subjektet politike, u adresuan vërejte nga deputetët mbi disa dispozita që kanë të bëjnë me auditimin e partive politike dhe mënyrën e donacioneve.

 

 

Top Channel