Ish-kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Nikolla Gruevski dhe ish ministri Mile Janakieski janë shpallur fajtorë për rastin “Shuplaka” si nxitës të dhunës në komunën Qendër qershorin e vitit 2013.
Gruevski, i cili ndodhet në arrati në Budapest, është dënuar me një vit e gjysmë burg, ndërsa Janakieski me një vit heqje lirie, me kushtin që në katër vitet e ardhshme, të mos e përsërisë këtë vepër. Dënime më të lehta kanë marrë dhe disa persona të tjerë, të cilët thuhet se kanë sulmuar vendin ku po zhvillohej mbledhja e Këshillit Komunal, duke thyer dhe derën e sallës.
Mediat maqedonase kujtojnë se ish kreu i ekzekutivit pati dalë në përgjime duke kërkuar rrahjen e kundërshtarit politik. Sipas akuzës, Gruevski ka qenë ai që ka kërkuar episodin e dhunshëm ndërsa ish ministri i dënuar me të ka pranuar që të ushtrohet dhunë ndaj kryetarit të Komunës Qendër, Andrej Zhernovski dhe anëtarëve tjerë të Këshillit komunal. Një ditë më parë u dërgua në burg dhe ish ministrja e brendshme maqedonase, Gordana Jankullovska.
Top Channel