Nasim Haradinaj para gjykatës/ Nënkryetari i shoqatës së veteranëve të UÇK u arrestua për dosjet e Hagës

29/09/2020 19:43

Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Nasim Haradinaj ka dalë për herë të parë para trupit gjykues të Dhomave të Specializuara në Hagë.

Nga aty ai u njoftua se mbi të, pritet të ngrihet aktakuzë për veprën penale kundër administrimit të drejtësisë, përkatësisht për frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë.

Por, Haradinaj kundërshtoi vetë arrestimin e tij, duke thënë se nuk e njeh Gjykatën Speciale dhe mandati i tyre ka skaduar.
Ndërsa avokati mbrojtës kërkoi lirimin e menjëhershëm nga paraburgimi dhe hedhjen poshtë të akuzave, duke shtuar se Gjykata Speciale nuk ka kompetenca mbi pretendimet e supozuara.

Nëse ndaj Haradinajt aprovohet aktakuza që pritet të ngrihet nga prokurori i specializuar, sipas Kodit Penal të Kosovës për veprën penale të frikësimit të dëshmitarëve Haradinaj mund të dënohet me burgim prej 2 deri në 10 vjet.

Për hakmarrja mund të dënohet deri me tre vjet burgim, ndërsa për shkelje të fshehtësisë së procedurës deri në një vit.

Top Channel