Përfaqësuesi i Partisë Socialiste në Këshillin Politik, Damian Gjiknuri u është përgjigjur argumenteve të parashtruara nga përfaqësuesit e opozitës jashtëparlamentare, Oerd Bylykbashi dhe Petrit Vasili.
Ndërkohë është kërkuar edhe një mbledhje tjetër e Këshillit Politik më datë 1 tetor në orën 11:00.
Gjiknuri në përgjigjen e tij bën të ditur se do t’ia përcjell Komisionit të Ligjeve materialin e dërguar nga opozita dhe shpreson që argumentet e tyre do të bëhen pjesë e debatit procedurial, i cili ka nisur dhe pritet të përfundojë në komision brenda datës 30 Shtator 2020.
Më tej përfaqësuesi i PS në Këshillin Politik shkruan se gjatë debatit të fund Korrikut për amendamentet kushtetuese, qendrimi zyrtar i PD & LSI ka qenë se amendamentet kushtetuese ndalonin koalicionet, se ky ndalim vinte në kundërshtim flagrant me marrëveshjen e 5 Qershorit dhe prandaj amendamentet kushtetuese nuk duhet të miratoheshin në atë kohë.
“Gjithçka, veç ato amendamente të pengoheshin me çdo kusht! Përpjekja juaj dështoi dhe sot ju e pranoni zyrtarisht se amendamentet kushtetuese nuk i ndalonin koalicionet. Por sot, ju keni nisur një betejë për të penguar miratimin e amendamenteve zbatuese të Kodit Zgjedhor.” ka thënë Gjiknuri.
Përgjigja e Gjiknurit për opozitën:
Të nderuar z. Bylykbashi, z. Vasili,
Së pari, ju falenderoj për komunikimin tuaj të datës 27.09.2020. Ai është qendrimi juaj zyrtar, përfundimtar dhe i pakthyeshëm, lidhur me procesin ligjvënës për zbatimin e amendamenteve kushtetuese të datës 30 Korrik 2020. Ai formon një pozicionim shumë të qartë të PD & LSI kundër amendamenteve kushtetuese dhe shoqërohet me një draft-propozim po aq refuzues ndryshimesh në Kodin Zgjedhor.
Unë ju siguroj se do t’ia përcjell Komisionit të Ligjeve materialin tuaj dhe shpresoj se argumentat tuaja do të bëhen pjesë e debatit procedurial, i cili ka nisur dhe pritet të përfundojë në komision brenda datës 30 Shtator 2020.
Gjithësesi, meqenëse draft-propozimi juaj është përcjellë së bashku me një analizë juridike për kushtetueshmëri/ antikushtetueshmëri të pozicioneve respektive, po përfitoj nga rasti që edhe unë të përsëris me të njejtën transparencë publike argumentat kushtetues që mbështesin draftin tonë të amendamenteve, që rrëzojnë pretendimet tuaja dhe që në një farë mase, zbulojnë keqbesimin tuaj në qasjen ndaj këtij procesi kushtetues.
Gjatë debatit të fund Korrikut për amendamentet kushtetuese, qendrimi zyrtar i PD & LSI ka qenë se amendamentet kushtetuese ndalonin koalicionet, se ky ndalim vinte në kundërshtim flagrant me marrëveshjen e 5 Qershorit dhe prandaj amendamentet kushtetuese nuk duhet të miratoheshin në atë kohë. Gjithshka, veç ato amendamente të pengoheshin me çdo kusht! Përpjekja juaj dështoi dhe sot ju e pranoni zyrtarisht se amendamentet kushtetuese nuk i ndalonin koalicionet. Por sot, ju keni nisur një betejë për të penguar miratimin e amendamenteve zbatuese të Kodit Zgjedhor.
Ky është një qendrim politik i pritshëm dhe koherent, pa dyshim. Ju ishit kundër procesit kushtetues, jeni po aq kundër procesit ligjvënës në zbatim të tij. Ju bëtë gjithshka për ta bllokuar atë, për ta zvarritur, për të humbur kohën dhe për të sjellë pasiguri. E gjitha kjo, duke keqpërdorur nevojën për konsensus, duke abuzuar me rregullat e vendosura nga marrëveshjet politike, duke refuzuar të jepnit kontribut dhe të prodhonit propozime. Ju jeni në lirinë tuaj për të mbajtur këtë qendrim, por unë nuk mund të pranoj që ta justifikoni pozicionimin tuaj me argumentin “KOHË”. Të thuash nuk ka kohë për të miratuar amendamentet zbatuese të Kushtetutës sepse është ezauruar një afat një vjeçar, të pretendosh se amendamentet zbatuese cënojnë stabilitetin ligjor, pasi ke bërë kaq shumë për të bllokuar dhe zvarritur procesin është veprim në keqbesim.
Ne kemi qenë të përgatitur dhe e prisnim këtë sjellje. Por asgjë nuk mund të na shtynte ne që, për këtë shkak, të mbyllnim derën e bashkëpunimit. Kemi pasur nevojë të njihnim qartë pozicionin tuaj, të lexonim argumentet, të kuptonim motivet. Këtë ju nuk arritët t’a pengonit dot. Përfshirja në Këshillin Politik dhe në proces e mundësoi këtë. Tashmë ne kemi njohur, lexuar dhe kuptuar qartë argumentat tuaja. Prandaj. mund të japim disa shpjegime përfundimtare, sidomos për aspektet kushtetuese të problemit:
Koalicionet nuk formojnë entitete juridike. Ato janë taktikë politiko-elektorale e partive politike dhe zhvillohen në përputhje me interesat e partive të caktuara për të përforcuar impaktin e tyre në shoqëri.
Koalicionet nuk formojnë të drejtë apo liri në kuptimin kushtetues të fjalës. “E drejta/liria për të formuar koalicione” nuk bën pjesë në listën e të drejtave themelore të njeriut, nuk është pjesë e katalogut të të drejtave dhe lirive që njeh Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë.
Koalicionet nuk janë gjithashtu organ apo institucion kushtetues, sikurse janë Kuvendi, Këshilli i Ministrave, gjykatat etj. Organet kushtetuese e fitojnë ekzistencën nëpërmjet përfshirjes në Kushtetutë, pavarësisht nëse ka apo nuk ka ligj organik për to. Shembulli par excellence i këtij modeli është Presidenti i Republikës, i cili ekziston dhe funksionon për shkak të Kushtetutës, pavarësisht se ligji organik për të nuk ka dalë akoma, 22 vjet pas miratimit të Kushtetutës.
Heqja e termit “koalicion” nga Neni 68 i Kushtetutës apo mbajtja e tij në Nenin 96 të saj nuk kanë asnjë domethënie në raport me rregullimin ligjor që Kodi Zgjedhor mund të vendosë për koalicionet, nuk i bën koalicionet as kushtetues, as antikushtetues. Për më tepër, përfshirja e Nenit 96 të Kushtetutës në “argumentin” e PD & LSI, kur është katërcipërisht e njohur se Neni 96 bën fjalë për “koalicionin qeverisës” dhe jo për “koalicionin zgjedhor” (kategori të dallueshme qartazi nga njëra-tjetra) demonstron vobektësi të pafalshme për pozicionin juridik të PD & LSI rreth debatit për kushtetueshmërinë ose jo të koalicioneve.
Debatin për kushtetueshmërinë/antikushtetueshmërinë e koalicioneve, Këshilli Politik e ka trajtuar në mënyrë ezaurues përgjatë muajit Korrik 2020.
Ekspertiza teknike e thirrur në debat ka sqaruar bindshëm temën dhe i ka dhënë përgjigje ezauruese pyetjes: a mund të regjistrojë koalicioni kandidatë, nëse hiqet termi koalicion nga Neni 68 i Kushtetutës? Të gjitha palët, përfshirë PD & LSI e kanë pranuar dhe përvetësuar këtë shpjegim në atë kohë. Ringritja e debatit nga këndvështrimi i sotëm është gjithashtu provë e arsyetimit në keqbesim nga PD & LSI.
Koalicioni, pavarësisht nga mënyra se si formatohet lista e kandidatëve, nuk ka qenë pjesë e diskutimeve përgjatë negociatës për marrëveshjen, sikurse të gjithë pjesmarrësit në atë negociatë mund ta kujtojnë. Prandaj koalicioni nuk ka zënë vend në tekstin përfundimtar të marrëveshjes. Teksti i marrëveshjes është publik dhe mund të verifikohet lehtë nga çdo person i interesuar.
PD & LSI kanë pretenduar se koalicionet me listë të përbërë bëhen pjesë e marrëveshjes, për shkak se ato janë bërë pjesë e tekstit të amendamenteve ligjore që u miratuan në zbatim të saj. Ky pretendim bie menjëherë poshte, jo vetëm nga arsyetimi se një çështje e panegociuar llogjikisht nuk mund të jetë rezultat i negociatës, por edhe nga verifikimi krahasues i tekstit të amendamenteve me tekstin e Kodit Zgjedhor, siç ishte në fuqi. Nëse paragrafët e një neni që ndryshohet transpozohen pa ndryshim nga ligji tek amendamenti, kjo do të thotë se ato nuk janë objekt i ndryshimeve. Formulimet për koalicionet kanë kaluar pa ndryshim nga ligji tek amendamentet, sepse amendamentet kanë pasur objekt çështje të tjera që lidheshin me të njejtin nen. Koalicionet dhe mënyra e formatimit të listës së kandidatëve nuk kanë qenë objekt i amendamenteve të datës 23 Korrik 2020
Sa herë bëhet fjalë për ‘koalicionin me listë të përbërë” çështja paraqitet sikur kemi të bëjmë me një formë e posaçme të organizimit të koalicioneve, kur në fakt çështja ka të bëjë vetëm me mënyrën e formatimit të listës, mënyrën e votimit dhe mënyrën përllogaritjes së rezultatit, e cila dallon për këto koalicione nga të gjitha subjektet e tjera që marrin pjesë në zgjedhje. Në thelb “Koalicioni me listë të përbërë” nuk është gjë tjetër veçse “votim preferencial për partitë pjestare të tij” (citim nga prononcimi i zotit Bylykbashi në një nga mbledhjet e Këshillit Politik).
Votimi preferencial për partitë pjestare të një koalicioni është kryer në Shqipëri në kushtet kur sistemi zgjedhor parashikonte konkurimin me lista të mbyllura kandidatësh. Amendamentet kushtetuese të datës 30 Korrik 2020 e ndryshuan këtë realitet.
Nga data 30 Korrik 2020 Shqipëria ka adoptuar sistemin zgjedhor me konkurim me lista të hapura kandidatësh. Shqipëria zgjodhi të hyjë në një epokë të re elektoralo-kushtetuese, në atë të votimit preferencial për kandidatët dhe të lerë pas epokën e votimit preferencial për partitë. Kjo zgjedhje nuk ka qenë sekret, nuk ka qenë rastësore, nuk është bërë pa dashje dhe as nga paqartësia. Ajo ka qenë një zgjedhje e vendosur dhe e qartë që në fillim. Votimin preferencial për kandidatët, listat e hapura, i kërkuan qytetarët shqiptarë dhe i imponuan po ata. Kuvendi vetëm iu bind atyre.
Përgjatë debatit për amendamentet kushtetuese është thënë në mënyrë të përsëritur nga ana e mazhorancës dhe opozitës parlamentare, se hapja e listave do i jepte fund “votimit preferencial” për partitë e koalicionit. Njëra zgjedhje përjashtonte tjetrën. Nga ana e opozitës jashtëparlamentare u mbajt qendrimi i kundërt, u kërkua që të ruhej votimi preferencial si për kandidatët, ashtu dhe për partitë e koalicionit. Kësaj kërkese mazhoranca iu përgjigj me ofertën, se do ta merrte në konsideratë nëse opozita jashtëparlamentare referonte qoftë dhe një model të vetëm, i cili të kish adoptuar këtë formë votimi. Opozita ende nuk e ka mbështetur me model këtë pretendim.
Mazhoranca nuk ngriti asnjë debat për kushtetueshmërinë apo antikushtetueshmërinë e kërkesës së opozitës jashtëparlamentare, por e kërkoi kompromisin tek qasja praktike, tek qasja sipas modeleve. Shqipëria kishte vendosur të ndryshonte mënyrën e votimit të qytetarëve. Këtë e kishte bërë mbështetur në modelet e një morie vendesh, të cilat listat e hapura për kandidatët i kanë zhvilluar në kushtet kur votimi bëhet vetëm për partitë, ose për partitë dhe koalicionet me listë të përbashkët. Në asnjë vend nuk bashkekzistojnë listat e hapura me votimin preferencial për partitë. Opozitës jashtëparlamentare nuk iu vendosën kushte të veçanta, të rënda, të paarsyeshme në këmbim të kompromisit, thjesht iu kërkua e njëjta qasje metodologjike.
Deri më sot, në Këshillin Politik PD & LSI kanë referuar me gjysëm zëri vetëm tek sistemi zgjedhor i Republikës së Italisë, i cili në fakt, nëse studiohet me paanësi dhe qetësi, rrëzon plotësisht kërkesën e PD & LSI. Sistemi italian, nga viti 1994 e këtej, është zhvilluar si një sistem miks, me lista të mbyllura për kandidatët dhe votim preferencial për partitë e koalicioneve. Përpara vitit 1994 sistemi italian ka qenë sistem proporcional kombëtar me lista të hapura, me votim me 4 preferenca për kandidatët dhe pa koalicione. Në Itali, epokat elektoralo-kushtetuese janë ndarë qartësisht në vitin 1994. Amendamentet kushtetuese e bënë këtë ndarje në Shqipëri, po aq qartësisht, më 30 Korrik 2020.
PD & LSI pretendojnë se “koalicioni me listë të përbashkët” është hequr me konsensus nga Kodi që në vitin 2003 dhe se ky konsensus nuk ka arsye që të prishet tani. Për fat të keq, ky pretendim zhvishet nga konteksti historik i kohës, atëhere dhe tani. Atëhere, sepse në atë kohë lëvizja motivohej nga nevoja për të reduktuar opsionet në formimin e koalicioneve, për të rritur fuqinë negociuese të partive të mëdha, për të vënë partitë e vogla përpara ofertave “detyruese”, si dhe për të reduktuar konkurimin politik.
Tani, sepse tani lëvizja motivohet nga nevoja për të implementuar sistemin me lista të hapura, për të reduktuar pozitën dominuese të partive të mëdha në skenën politike, për të nxitur rigjallërimin e partive dhe koalicioneve alternative. Epoka e re ka tiparet e veta të reja. Epokë të re me tipare të vjetra nuk mund të ketë. Kështu që, arsye, pas 17 vjetësh, për t’u larguar nga e vjetra ka shumë. Ky largim nga e vjetra është bërë gjithashtu me konsensus, sepse ka pasur konsensus të plotë parlamentar dhe të opinionit publik, ditën që Kuvendi miratoi amendamentete kushtetuese.
Arsyetimi i PD & LSI lidhur me debatin rreth çështjes bëhet nga pozicione sofiste, të gabuara dhe false. PD & LSI arsyeton se koalicionet me listë të përbërë kanë qenë në fuqi në Shqipëri që nga viti 2003, i janë nënshtruar vlerësimeve të përsëritura të OSBE/ODIHR-it për kushtetueshmëri në vite, për pasojë janë kushtetues, prandaj duhet të rrinë në fuqi edhe me ndryshimet e reja kushtetuese.
Këtij arsyetimi i mungon lidhja llogjike, por edhe lidhja me realitetin e gjërave. Heqja e koalicioneve me listë të përbërë nuk bëhet për shkak të kushtetueshmërisë ose jo të tyre. Heqja e tyre bëhet për shkak të ndryshimeve që i erdhën sistemit nga adoptimi i votimit preferencial për kandidatët, nga nevoja për të implementuar sistemin me lista të hapura, për të reduktuar pozitën dominuese të partive të mëdha në skenën politike, për të nxitur rigjallërimin e partive dhe koalicioneve alternative.
Amendamentet kushtetuese të 30 Korrikut 2020 bënë një zgjedhje të qartë e të motivuar, jashtë çdo ekuivoku. Ato nuk u bënë për shkak të një debati kushtetueshmërie, mbështetur në ndonjë nevojë të shfaqur për të korrigjuar kontradikta midis dispozitave të kushtetutës.
Amendamentet vendosën themelimin e një epoke. PD & LSI problemet i kanë me këtë fakt, jo me kushtetueshmërinë apo antikushtetueshmërinë e zgjedhjes që u abrogua, apo të zgjedhjes që u adoptua.
Këtu qendron arsyeja kryesore pse është e pamotivuar kërkesa e PD & LSI për të përfshirë OSBE-ODIHR-in në debatin për këtë zgjedhje sovrane të parlamentit shqiptar, si dhe pse PD & LSI kërkon ta shndërrojë atë nga një debat vendimmarrje sovrane në një debat kushtetueshmërie/antikushtetueshmërie opsionesh teknike.
Debati për koalicionet e ka marrë zgjidhjen me miratimin e amendamenteve kushtetuese të datës 30 Korrik 2020. Nga kjo datë palët kanë fituar qartësi të plotë lidhur me zgjedhjet e ardhshme dhe me faktin se me hapjen e listave për kandidatët do të bjerë votimi preferencial për partitë pjestare të koalicionit. Gjithshka tjetër është punë teknike për implementimin sa më adekuat të amendamenteve kushtetuese në Kodin Zgjedhor.
PD & LSI kontestojnë procesin e penguar dhe të zvarritur prej tyre me arsyetimin se kanë ikur afatet për modifikime ligjore, sipas Kodit të Praktikave të Mira në Çështjet Zgjedhore. Kodi i Praktikave të Mira i konfronton parimet e tij me sjelljen e palëve politike në proces. Afati një vjeçar i referuar nga Kodi i Praktikave të Mira ka lidhje me sjelljen e mazhorancave, të cilat në kohë të afërt me ditën e zgjedhjeve përdorin modifikime të papritura e të panegociuara të legjislacionit për të siguruar përfitime të caktuara elektorale.
Reforma zgjedhore në Shqipëri ka një histori krejt të kundërt me kazusin e Kodit të Praktikave të Mira. Procesi aktual është në këmbë prej më shumë se dy vjetësh, nuk është i afërt me ditën e zgjedhjeve, nuk është i papritur dhe nuk është bërë për t’i siguruar mazhorancës avantazhe, por për të implementuar rekomandimet e OSBE/ODIHR-it dhe amendamentet kushtetuese.
Mazoranca ka dashur t’i bëjë këto ndryshime shumë herët në kohë. Nuk ka mundur dot për shkak se rrethana të veçanta politike të lidhura krejtësisht me braktisjen e Kuvendit nga PD & LSI dhe nevojën për t’a përfshirë atë në proces kanë vonuar zgjidhjen. Qendrimi konstant refuzues dhe mungesa e bashkëpunimit nga ana e PD & LSI kanë vonuar zgjidhjen. Nuk mund të lihet në harresë fakti se për të gjetur kompromisin me PD & LSI Kuvendi u detyrua të hiqte dorë nga implementimi i shumicës dërrmuese të rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it.
Por gjithësesi, reforma zgjedhore nuk e ka vënë për asnjë moment në rrezik Kodin e Praktikave të Mira, ka qenë gjithmonë në përputhje me të.
Lidhur me afatin një vjeçar ka një deklaratë interpretuese të Komisionit të Venecias (CDL-AD(2005)043) e cila e vendos parimin në kontekst. Pikë e rëndësishme e kësaj deklarate është pika 3 e pjesës II të saj:
“Ky parim ka vlerë për rregullat bazë të ligjit zgjedhor, vetëm në rastet kur këto rregulla janë sanksionuar me ligj të thjeshtë (ordinary laë)”. Amendamentet e paraqitura ne asnje cast nuk vene ne dyshim rregullat baze qe kane te bejne me ri-dizenjmin e zonave zgjedhore, shperndarjen e mandateve ne to apo organet e administrimit zgjedhor, ceshtje qe ky dokument i konsideron te rendesishme per te kerkuar mbrojtje te posacme nga nderhyrjen ne kohe te shkurter dhe me ligj te thjeshte. Pra citimi i shpeshte i ketij dokumenti pa shpjeguar se cilat nga keto rregulla baze preken, ka me shume per qellim keqinformimin e opinion publik.
Kuptimi i këtij interpretimi lidhet me faktin se parimi konsideron praktikë të keqe zgjedhore ndryshimin e rregullave bazë të ligjit zgjedhor sipas vullnetit dhe interesit momental vetëm të mazhorancës. Kur rregullat bazë sanksionohen me ligj me shumicë të cilësuar (Kushtetutë, Kod), premisa e rrezikshme bie, sepse mazhoranca është e pafuqishme të ndryshojë sipas vullnetit të vet rregullat bazë. Bashkë me të bie dhe kushti për afatin një vjeçar.
Rregullat bazë të ligjit zgjedhor në Shqipëri janë pjesë e Kodit Zgjedhor, i cili nuk është ligj i thjeshtë. Për këtë arsye, referencat tek ky parim në kushtet e Shqipërisë kanë vlerë vetëm për pikën 5 të pjesës II të deklaratës:
“Në përgjithësi, reformat e legjislacionit zgjedhor duhet të kryhen mjaftueshmërisht herët që të jenë të zbatueshme në zgjedhjet e radhës, nëse synimi i tyre është zbatimi në këto zgjedhje”.
Në këtë pikëpamje nuk ka shkelje nga mazhoranca të këtij parimi (për shkak të afatit një vjeçar, i cili nuk vlen në rastin konkret), por ka shkelje të tij nga PD & LSI (për shkak të intransigjences dhe destruktivitetit në qendrime, kontestimit për kontestim, refuzimit për të ofruar zgjidhje dhe alternativa dhe taktikave zvarritëse, të cilat zbulojnë qëllimin e fshehtë për ta bllokuar procesin deri në pikën që të rrezikohet zbatimi i rregullave të reja në zgjedhjet e radhës).
Amendamentet e propozuara do t’i nënshktrohen diskutimit në Komisionin e Ligjeve. Amendamentet konkuruese me to do t’i nënshtrohen debatit në Komisionin e Ligjeve.
Mazhoranca është e sigurtë në kushtetueshmërinë e tyre, sikurse ka besim të plotë se bashkëpunimi konstruktiv dhe në mirëbesim me opozitën parlametare do t’i japë atyre formën e pëlqyeshme konsensuale që meritojnë.
Këto amendamente do miratohen në kohë dhe partitë politike do kenë gjithë kohën e nevojshme për të adoptuar taktikat dhe strategjitë elektorale në përputhje me to. Për fat të keq, PD & LSI nuk u bënë dot edhe këtë herë pjesë e procesit. Por unë jam i vetëdijshëm, se kjo nuk ka lidhje me lëndën, por ka lidhje me strategjinë apriori penguese dhe kontestuese të zgjedhur nga PD & LSI në konkurrimin politik në vend.
Amendamentet do t’i nënshtrohen vlerësimit ekspert dhe kompetent të OSBE/ODIHR-it jashtë çdo lloj dyshimi. Koha do t’i çmojë ato si arritje e mirëfilltë për zhvillimin politik. Që kjo gjë të ndodhë duhet që Kuvendi të bëhet zot i punëve të veta, të marrë përsipër përgjegjësitë që i takojnë dhe të mos zhgënjejë shqiptarët.
Komisioni i Çështjeve Ligjore dhe Administratës Publike po shqyrton amendamentet për të përafruar qëndrimet me propozimet që ka sjellë dhe opozita parlamentare. Natyrshëm do të bëjmë edhe një përpjekje të fundit për një kompromis me opozitën jashtëparlamentare, pa vënë në rrezik arritjet dhe filozofinë e re që përcakton fryma e ndryshimeve kushtetuese për çështjen e koalicioneve, duke u fokusuar në çështjet e tjera të projektligjit siç janë pragu apo mënyra e ri-rënditjes së kandidatëve bazuar në votën preferenciale të zgjedhësve.
Në këtë frymë, propozoj që mbledhja e ardhshme e Këshillit Politik të zhvillohet ditën e Enjte, datë 1 Tetor 2020, ora 11:00 në mjediset e Pallatit të Kongreseve.
Damian Gjiknuri
Përfaqësues i Partisë Socialiste
Top Channel